John Kerry: Jeni në rrugën e duhur; Rama: Në mars, reforma në drejtësi

Vendi është në rrugën e duhur të reformave, veçanërisht atyre që kanë të bëjnë me luftën kundër krimit, korrupsionit dhe forcimit të ligjit dhe shtetit ligjor.

Ky ishte ndër të tjera, mesazhi i dhënë nga Sekretari i Shtetit, John Kerry, në deklaratën për shtyp të mbajtur pas takimit me kryeministrin Edi Rama.

“Shqipëria është duke lëvizur në drejtimin e duhur dhe jam besimplotë që ndërgjegjësimi është përqafuar sa i përket legjislacionit për luftën kundër korrupsionit. Më ka bërë përshtypje hartimi i dekriminalizimit. Jam i inkuruajuar nga paketa e reformës në drejtësi dhe dëshiroj të theksoj që kjo është diçka që politika po punon fort që të realizohet. Kjo kërkon mbështetjen e çdo shqiptari. SHBA është këtu në krahun tuaj, por në fund vetëm shqiptarët mund të miratojnë ligjet e duhura dhe të këmbëngulin për zbatimin e tyre”, deklaroi Kerry.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama konfirmoi që pjesë e bisedimeve ka qenë edhe reforma në drejtësi. Ai shprehu bindjen se Kuvendi do ta kalojë atë brenda muajit mars dhe këtë bindje e bazoi në inkurajimin e marrë nga kryediplomati amerikan.

“Diskutuam në veçanti për reformën në drejtësi. U jemi mirënjohës SHBA për ndihmën e çmuar që i kanë dhënë vendit tonë në rrugën e kësaj reforme dhe për punën e palodhur të ekspertëve amerikanë në ekipin teknik të reformës. Objektivi ynë i përbashkët është që marsi të jetë muaji i votimit në Kuvend i paketës së ndryshimeve kushtetuese. Kam besim që do t’ja dalim dhe fakti që nuk jemi vetëm, por me SHBA në krah e bën të pakthyeshëm këtë sukses”, deklaroi Rama.