Punët administrative dhe kontrata me komunën e Jegunocit është kryer në tërësi, dhe brenda javës pritet të merret leja për ndërtimin e filtrave, kështu ka deklaruar për Alsat M, drejtori gjeneral i Jugohromit, Vasko Skenderovski. Reagimi i Skenderoivskit vjen pas publikimit të lajmit në Alsat M rreth ngecjes në drejtim të vënies së filtrave nga ana e Jugohromit.

“Mendoj se aktivitetet për ndërtim duhet ti fillojmë si e patëm planin diku kah data 15 e këtij muaji por mendoj se kah 25 Qershori do fillojmë edhe zyrtarisht ndërtimin sepse tanimë kemi nënshkruar edhe kontratën për këto aktivitete ndërtimi”, deklaroi Vasko Skenderovski, drejtor gjeneral në Jugohrom.

Fillimisht, sipas Skenderovskit do bëhet ndërtimi i filtrave për furrat shtat dhe tetë të cilat do të mbulojnë rreth 50 për qind të filtrimit të kapacitetit prodhues.

“Ndërtimi i filtrave për furrat numër shtat dhe tetë do përfundojnë në kuadër të afatit që e morëm nga Qeveria, gjegjësisht 31 tetori 2016 e pastaj në fazën e dytë do të ndërtohet sistemi i filtrimit në sektorin e tretë ku është furra e nëntë”, tha Skenderovski.

Nga Ministria e Ekologjisë shprehen se në rast të shkeljes së edhe të këtij afati nga Jugohromi, do të pasojnë sanksionet e parapara me ligj”.

“Inspektorati i ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor në bazë të ingerencave të tij dhe në pajtueshmëri me ligjin do të dalë në terren, do të veprojë dhe do të informoj qeverinë e Republikës së Maqedonisë për sjelljen e vendimit të mëtutjeshëm. Në rast të mosrespektimit të afateve do të pasojnë sanksionet e parapara me ligj”, thanë nga Ministria e Ekologjisë.

Përndryshe, Jugohromi për momentin, sipas drejtuesve të tij, është duke funksionuar me gjysmën e kapacitetit dhe në punë ka të angazhuar rreth 500 punëtor.