Jugohromi sërish shkel ligjin, duke mos respektuar standardet ekologjike për ndërtimin e tre filtrave. Aktualisht në këtë kombinat po punohet për ngritjen e vetëm një filtri për pastrimin e gazrave që liron pasi drejtuesit e këtij metalurgjiku thonë se I njëjti është duke funksionuar vetëm me 40 për qind të kapaciteteve.

“Ky është filtri i shumë përfolur i fabrikës Jugohrom. Ky filtër ka filluar të ndërtohet para disa ditësh, ndërkohë që, vija e kuqe është deri më 31 të këtij muaj, ndërtimi do zgjas deri në tetë muaj. Edhe pse ky filtër tanimë ka filluar të ndërtohet tanimë, të tillë duhet ndërtuar tre, kjo, sipas kërkesave që janë bërë si në Ministrinë e ekologjisë po ashtu edhe në Qeverinë e Maqedonisë. Por fillimisht do bëhet vetëm një stacion filtrues, ndërsa dy tjetrët do fillojnë të ndërtohen pas ndërtimit të këtij filtri”.

“Për ndërtimin e këtij filtri duhet të punohet rreth tetë muaj, në këtë periudhë hyn edhe sigurimi i pajisjeve për një pjesë të të cilave kemi kontrata. Me ndërtimin e këtij filtri do pastrohen 50 – 60 për qind e gazrave që liron Jugohromi. Dhe nëse vlerësojmë se ne punojmë me tre furra kjo do të thotë 90 për qind e kapacitetit”, tha Srecko Isajovski, drejtor për investime ne Jugohrom.

Vonesat për vënien e filtrave, kanë irrituar edhe banorët e Jegunocit, të cilët deri dje mbronin këtë kapacitet. Pas të dhënave alarmante për vdekshmërinë e banorëve të këtij fshati nga kanceri, shumica e banorëve kanë organizuar një peticion me të cilin po kërkojnë mbylljen e Jugohromit deri në vënien e filtrave.

“Jugohromit disa herë I janë dhënë afate për vënien e filtrave por i ka shkelur të njejtit. Përveç që ikin të rinjtë nga fshati, ekziston edhe një shkallë e lartë e mortalitetit në dy vitet e fundit. Kur flas për mortalitetin nuk flas për të moshuarit por të rinjtë që vdesin nga sëmundjet kancerogjene sidomos rrugëve të frymëmarrjes. Pra kemi mosha të reja, për një vit e gjysmë kanë vdekur afër 50 persona që të gjithë nga kanceri dhe flitet për banorët e Jegunocit jo për fshatrat e rrethinës, kjo për pasojë të ndotjes nga Jugohromi”, tha Persa Naumovska, përgjegjëse për peticionin.

Afati i fundit që Qeveria i ka dhënë Jugohromit për vendosjen e filtrave është 31 tetori, por bazuar në zhvillimin e punimeve në terren ky afat është e pamundur të respektohet. Nga drejtoria e kombinatit njoftojnë se sërish kanë bërë kërkesë në ministrinë e Ekologjisë për shtyrjen e këtij afati, por ende nuk kanë marrë pëlqim për një gjë të tillë.