Kryetarja e grupit parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ka thënë se protestat për rrëzimin e Qeverisë do të fillojnë më 9 janar, këtë të shtunë dhe ato do të vazhdojnë edhe pas kësaj.

Deputetja e AAK-së ka bërë të ditur se protesta e opozitës do të jetë masive dhe paqësore dhe do të ketë si synim dorëheqjen ose rrëzimin e Qeverisë, nëse nuk tërhiqen dy marrëveshjet e nënshkruara me Serbinë dhe Malin e Zi.

“Është protestë masive, paqësore. Ku më shumë se çdo herë tjetër ne kemi një përgjigje të masave. Përmes rrjeteve sociale dhe aktiviteteve tona në terren, ne shohim një mbështetje të madhe dhe janë të bindur se ne mund të jemi bashkë në ndalimin dhe mos lejimin e këtyre dy marrëveshjeve. Ne konsiderojmë se do të jetë protestë masive ajo do të zgjasë derisa qeveria të bie ose të jap dorëheqje”, ka thënë Kadaj-Bujupi.

“Kjo duhet të ndodhë dhe do të ndodhë me këtë qeveri sepse nuk mund ta kemi nnë krye të vendit një kryeministër që e ka shkelur Kushtetutën. Ata po insistojnë me çdo çmim të ta mbajnë pushtetin e tyre”, ka shtuar ajo.

Ajo ka thënë se Qeveria duhet të jetë e obliguar që të japë dorëheqje pasi me marrëveshjet e nënshkruara ka shkelur Kushtetutën në 23 pika.

“Në fazën në të cilën jemi. Ne prioritet kemi tërheqjen e qeverisë në këto dy marrëveshje. Tani kur qeveria ka shkelur marrëveshjen, ajo është e obliguar që të heq dorë nga marrëveshjet e dëmshme. Imagjinojeni nëse një kryeministër të vazhdojë ta mbajë postin e tij nëse ka shkelur Kushtetutën e vendit”, ka thënë ajo.

Duke folur për statutin e saj aktual, ajo ka thënë se është në mbrojtje në liri që prej datës 31 dhjetor të vitit 2015, derisa ka shtuar se deputetët e opozitës po trajtohen si kriminelë.

“Është mbrojtje në liri, do të thotë ndërprerja ka qenë më 31 dhjetor, po vazhdojmë me u mbajt në rrethana të izolimit, sidomos tani kur Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se marrëveshjet janë bërë në shkelje të Kushtetueses. Ne po gjykohemi, po dënohemi, herë në liri e herë në burg, pra po vazhdojnë të na mbajnë të privuar që t’i kryejmë detyrat tona”, ka shtuar Kadaj-Bujupi.

“Jemi trajtuar si kriminelë ordinerë, po vazhdojmë të cilësohemi si të tillë, deri më tani kemi ndërhyrje të ekzekutivit në gjyqësor dhe tash kemi një formë tjetër kur gjyqësori drejtpërdrejt ndërhynë në punën e legjislativit”.

Donika Kadaj-Bujupi hedhjen e gazit lotsjellës në sallën e Kuvendit të Kosovës nuk e ka cilësuar si armë, derisa aktakuzën e saj e ka krahasuar me një të mëhershme të një qytetari, i cili kishte hedhur gaz lotsjellës në një qendër tregtare të një lokaliteti serb në Kosovë.

“Për këtë që është konfirmuar në këtë aktakuzë që quhet përdorim i armës, një qytetar i republikës së Kosovës, është akuzuar si kundërvajtje sepse ka hedhur gaz lotsjellës në një qendër tregtare. I njëjti është dënuar me 400-450 euro gjobë me para. Bëhet fjalë për një substancë irrituese që sjellë lot. Tek rasti ynë gazi lotsjellës po konsiderohet si armë”, ka thënë veç të tjerash ajo

donika