Kur kanë mbetur vetëm edhe disa ditë deri në fillim e fushatës zgjedhore, lufta dhe vëmendja e opinionit është përqendruar në Çair, ku në garë janë katër kandidatë të partive shqiptare…

Por, pothuajse njëzëri të gjithë kandidatët nga kjo garë presin zgjedhje të qeta të lira dhe demokratike. Kandidati i BDI-së Visar Ganiu për Medial.mk është shpreh optimist se BDI-ja edhe kësaj radhe kur është në qeveri, “do të tregojë se dinë të realizojë dhe organizojë zgjedhje të lira të qeta dhe demokratike, ashtu siç ka qenë shembull edhe deri më tani”.

“Nuk kam asnjë dyshim se zgjedhjet në Komunën e Çairit do të jetë të lira dhe demokratike, sepse shqiptarët kësaj herë pres të jenë shembull edhe për komunat tjera dhe dita e diel në këtë komunë, të jetë një ditë feste, ku do të ngadhënjejë kultura, tradita dhe në përgjithësi niveli demokratik i shqiptarëve”, tha Ganiu.

Ai është shpreh se BDI dhe ai vetë, nuk kanë asnjë dyshim për fitoren e radhës në Çair, sepse sipas tij shqiptarët do të dinë t’i vlerësojnë punët të cilat janë realizuar dhe do të realizohen.

Ndërsa, kandidati tjetër i Lëvizjes BESA, Zeqirja Ibrahimi thekson se vëmendja nuk është e përqendruar vetëm në Çair, ndërsa për sigurinë e zgjedhjeve, “topin e hodhi tek partitë në pushtet të cilat janë edhe udhëheqës të instrumenteve të shtetit”.

“Unë nuk mendoj se jemi fokusuar vetëm në Çair. Për neve është e rëndësishme, njësoj si Çairi, edhe Çashka, edhe Manastiri. Çdo kund ku ka vota shqiptare, ne jemi të interesuar. Ndoshta Çairi është më shumë emblematik, sepse nënkupton identitetin shqiptar të Shkupit, dhe ne këtu jemi të përqendruar që ta përsërisim fitoren e 11 dhjetorit. Ndërkaq sa i takon sigurisë, kjo është në duar të atyre që janë kujdestarë për sigurinë e zgjedhjeve. Çfarëdo që të ndodhë, faji është i atyre që mund të mos kenë qenë të kujdesshëm ndaj detyrimeve të tyre. Ne, nga ana jonë – ashtu si në zgjedhjet e 11 dhjetorit, do të ndihmojmë që mos të ketë incidente. Dhe, për këtë garantojmë dhe këtë përgjegjësi e mbajmë. Ndërsa presim që edhe të tjerët ta bëjnë detyrën e tyre”, ka thënë për Medial.mk, Ibrahimi nga BESA.

Nga ana tjetër Faruk Avdiu, pretedenti nga radhët e Aleancës për shqiptarët apo partisë së Selës, ka pohuar se Çairi është e vetmja komunë urbane shqiptare në Qytetin e Shkupit ku shqiptarët qeverisin me të dhe ky interesim sipas tij, “korrespondon me interesin e partive maqedonase që shprehin interes për Qytetin e Shkupit”.

“Ky interesim nuk është i rastësishëm për shkak se gjithë ajo keq-qeverisje dhe keq-menaxhim që tani më e kanë të njohur shqiptarët e Maqedonisë është manifestuar pikërisht në komunën e Çairit. Gjatë kësaj keq-qeverisje aty kanë ndodhur gjëra të tmerrshme që ta kishin ditur se këtë formë monstruoze do qeveriset me Çairin, qysh moti maqedonasit do t’ua kishin lënë shqiptarëve në duar ta qeverisin. Ne jemi të mobilizuar dhe të përqendruar për ta shpjeguar të vërtetën tonë. Jemi te bindur se ne do jemi surpriza e këtyre zgjedhjeve”, u shpreh për Medial,mk, Faruk Avdiu, nga ASH-ja.

Kurse kandidati i PDSH-së Idriz Orana, nuk ka pranuar të prononcohet, por vetëm shkurt ka thënë se PDSH do ta angazhohet për një rezultat të mirë./Medial.mk/