“A po vërtetohet dyshimi i koalicionit opozitar VMRO – BESA, me një avancim të tij në prag të zgjedhjeve lokale?”, ka reaguar sot përmes një komunikate BDI.

Sipas kësaj partie, “pas dhënjes së “argumenteve” Ivanovit për mosdhënien e mandatit liderit të LSDM-së Zaev me pohimin se “Platëforma e Tiranës” është iniciuar nga Kryeministri shqiptar Rama, pas provokimit dhe ikjes nga Parlamenti më 27 Prill disa çaste para incidentit kur u sulmuan deputetët nga ana e simpatizantëve të VMRO-së, pas mosvotimit të Kryetarit të parë shqiptarë në Kuvendin e Maqedonisë Talat Xhferi dhe mospërkrahje të procedurës parlamentare të Ligjit të gjuhës shqipe, tani institutet e VMRO-së po mundohen të ndihmojnë Lëvizjen BESA në prag të zgjedhjeve.”

“Në kundërshtim të të gjitha rezultateve të hulumtimeve të realizuara nga Institutet amerikane, me renome ndërkombëtare siç janë IRI dhe NDI, të cilat tregojnë një epërsi të madhe të Bashkimit Demokratikë për Integrim para partive tjera politike shqiptare e sidomos para Lëvizjes BESA, ditë më parë me tentim për manipulimin e rradhës doli në opinion një farë Instituti, në opinion i njohur si i afërt i VMRO-së , i quajtur Dimitrie Çupovski.”, shkruan BDI.

Sipas kësaj partie, ky institutë mundohet të bind opinionin se ka realizuar hulumtim të opinionit dhe se partitë më të votuara në Maqedoni na qenkan VMRO dhe BESA.

“Me sa duket Lëvizja BESA do të duhet të përgjigjet kërkesës publike të nënkryetarit të LSDM-së , i cili kërkon që Lëvizja BESA të deklarohet publikisht se a ka marrëveshje me VMRO-DPMNE.”, ka reaguar BDI.

Ndërkohë, Lëvizja BESA se hedhur poshtë akuzat e BDI-së.

“Ne nuk bëjmë marrëveshje parazgjedhore me parti maqedonase. Nuk ndjekim praktikën e BDI-së që përmes votave dhe partive maqedonase dëshiron ta ndryshoje vullnetin politik te shqiptaret siç është rasti me komunën e Çairit, Tetovës e Gostivarit. Ne e pranojmë vullnetin e shqiptarëve, por nuk duam që maqedonasit të ndërhynë në përfaqësimin tonë”, theksuan nga kjo parti.