Në orët e para të mëngjesit ndërroi jetë bartësi i pavarur i listës për këshilltarë në Kërçovë, Alit Abazi.

I ndjeri është sjell në spitalin klinik të Shkupit më 27 shtator, natën kur u qëllua me armë zjarri nga personi me iniciale A.A.

Abazi qëndroi në mbikëqyrje intensive të mjekeve tetë ditë, pas çka iu nënshtrua plagëve. Nga qendra e urgjencës thonë se plagët kanë qenë të rënda dhe vdekjeprurëse.

“Më datë 27 shtatorë në Klinikën tonë kemi pranuar pacientin me lëndime serioze në pjesën e abdomenit, boshtin kurrizorë dhe kokë. Të njëjtën datë pacienti është operuar. Për tetë ditë me radhë ka qenë i shtrirë në repartin për mjekim intensiv, ku gjatë gjithë kohës ka qenë i kyçur në aparatin për frymëmarrje artificiale dhe në gjendje shumë të rëndë shëndetësore. Me keqardhje me duhet të them se mëngjesin e sotëm pacienti ndërroi jetë si pasojë e plagëve të rënda”, njoftuan nga Spitali Klinik i Shkupit.

Ali Abazi, tanimë i ndjerë ka qenë cak i disa plumbave të shkrepura në drejtim të tij nga personi me iniciale A.A. Pas kryerjes së vrasjes, i dyshuari menjëherë është arrestuar nga forcat e rendit dhe të njëjtit i është caktuar masë paraburgimi 30 ditore.

Sipas Prokurorisë Themelore të Gostivarit, sulmi me pasoja fatale nuk ka prapavijë politike, por e njëjta ka qenë qërimi i hesapeve personale mes personave të përfshirë në incident.

Në këtë përleshje të përgjakshme të lënduar mbetën edhe dy persona të tjerë, Destan Abdiu dhe Shanban Dalili të cilët janë jashtë rrezikut për jetë.