Kanjoni Matka, si qendër turistike në qytetin e Shkupit, falë bukurive natyrore tërheq një numër të madh turistësh. Megjithatë kohëve të fundit kompleksi është lënë pas dore nga institucionet e komunës Saraj. Kanoni është përmbushur në mbeturina, ndërsa kontejnerët e mbeturinave janë të stërmbushur sepse ndërmarrja komunale nuk kujdeset për higjienën e kanjonit.

Drejtori i Ndërmarrjes Publike “Saraj” Sabahudin Rrustemi nuk mohon faktin se ka probleme me higjienën në qendrën turistike, por arsyetohet se ndërmarrja rregullisht bënë mbledhjen e mbeturinave.

“Në zonën turistike në sezonin veror i shtojmë aksionet për mbledhjen e mbeturinave, do të thotë sipas nevojës merren edhe masat shtesë”, tha Rrustemi për Almakos.

Ai fajin për gjendjen e keqe të higjienës ua hedh qytetarëve të pandërgjegjshëm të fshtrave përreth, të cilët nuk kanë vetëdije qytetare se duhet të kujdesen për pastërtinë publike.

“Në Matkë hidhen mbeturinat e fshatrave përreth, ku ndërmarrja jonë nuk operon. Nuk është e mundur që brenda javës vetëm nga turistët të mbushen kontejnerët në atë mënyrë në gjithë ato pikat”, sqaron Rrustemi.

Për gjendjen alarmante higjienike në Kanjonin e Matkës ka reaguar edhe këshilltari i Lëvizjes BESA, Orhan Murtezani i cili për Almakos thotë se Komuna e Sarajit nga një komune me potenciale turistike dhe pasuri natyrore, viteve të fundit është shndërruar në një komunë ku shenjë identifikuese janë vetëm gërmadhat me mbeturina gjithandej.

Murtezani akuzon ndërmarrjen komunale për mos-mbledhjen e mbeturinave të komunës duke shkaktuar formimin e deponive të egra, të cilat ndotin ambientin dhe dëmtojnë imazhin e kësaj qendre turistike në sytë e vizitorëve.

“Më e dhimbshme është kur e shohim edhe Matkën, një qendër që mund të tërheqë shumë vizitorë dhe turistë, të ngulfatur nga mbeturinat. Dështimi i ndërmarrjes komunale për të siguruar ambient të pastër, më shumë flet për seriozitetin e Komunës ndaj zhvillimit në përgjithësi, e sidomos ndaj këtij potenciali turistik”, deklaroi Murtezani.

Nga ana tjetër, disa afarist, qytetar, që gazetari i Almakos i takoi në Matkë, pas kamerave thanë se mbeturinat në Matkë nuk janë mbledhur tashmë dy muaj./Almakos/