Gjykatësit e Tribunalit të Kombeve të Bashkuara të Hagës e kanë shpallur vendimin se ish-lideri i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, është fajtor për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit.
Ai është dënuar me 40 vjet burgim.
Sipas Gjykatës së Tribunalit, si komandant suprem i Republikës Serbe të Bosnjës, Karaxhiqi në vitin 1995 kontrolloi forcat serbe që masakruan 8000 burra dhe djem myslimanë në Srebrenicë. Kjo ishte masakra më e tmerrshme pas Luftës së Dytë Botërore.
Karaxhiqi është shpallur fajtor edhe për nëntë akuza të tjera që përfshijnë vrasje dhe përndjekje, por ai është shfajësuar nga një akuzë e dytë për gjenocid në shtatë qytete dhe fshatra tjera në Bosnjë, gjatë luftës së viteve 1992-1995. Kjo akuzë e dytë për gjenocid akuzonte Karaxhiqin për udhëheqjen e një fushate, për spastrim të myslimanëve në Bosnjë, si dhe kroatëve nga të gjitha qytetet në vend. 
Gjykatësit e Tribunalit të Kombeve të Bashkuara të Hagës kanë thënë gjithashtu se lideri i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiqi, është përgjegjës për krime kundër njerëzimit, përfshirë vrasje dhe përndjekje, në komunat e Bosnjës, një nga dy akuzat kryesore me të cilat ai përballej.