Kryetari i Komunës Qendër, Andrej Zhernovski edhe një herë ka përsëritur se nuk ka asnjë njohuri lidhur me përmendoret shqiptare pjesë e projektit “Shkupi 2014”, të cilat sipas tij dhe në bazë të një vendimi të miratuar në vitin 2013 janë përgjegjësi e Qytetit të Shkupit. Pikërisht për këtë, Zhernovski njoftoi se për të premten është paralajmëruar vizita e tre inspektorëve nga Ministria e Kulturës,Shoqërisë Informatike dhe Inspektoratit shtetëror të Vetëqeverisjes lokale për të investiguar deri ku ka arritur procedura për vendosjen e përmendoreve shqiptare.

“Nëse qëllimi është të informohen se deri ku janë aktivitetet ne do ta bëjmë atë që duhet. Unë për momentin nuk e di se çfarë po ndodhë me ato përmendore, a janë punuar, ku është problemi me transportin e kështu me radhë. Mirëpo ky është një problem i lënë qëllimisht.. Ato do të paguhen në momentin kur do të arrijnë, por vendosja dhe mirëmbajtja është në përgjegjësi të Qytetit të Shkupit”, tha Andrej Zhernovski, kryetar i Komunës Qendër.

Zhernovski tha se më 22 korrik të vitit 2013, me kërkesë të qytetit të Shkupit është sjell vendim që përmendoret në Komunën Qendër të ruhen, mbrohen dhe shfrytëzohen nga Qyteti i Shkupit. Ai madje akuzoi Qeverinë se qëllimisht përmendoret shqiptare nuk janë vendosur me tendencë të prishjes të marrëdhënieve ndëretnike. Sipas Projektit “Shkupi 2014”, përmendorja e Josif Bagerit duhet të vendoset në pjesën perëndimore të teatrit të vjetër të Shkupit në drejtim të bregut të lumit Vardar, ajo e Pjetër Bogdanit në parkun’ Zhena Borec’, ndërsa ajo e Nexhat Agollit duhet të vendoset në hapësirën lidhëse mes shëtitores 13 Nëntori dhe Sheshit Maqedonia./Alsat-M