Përgatitjet për edicionin e sivjetshëm të Karnavaleve ilire të Bozovcës që do të mbahet më 11 mars – janë drejt fundit. Dhjetë vjetori i rikthimit të traditës për zhvillimin e karnavalit këtë vit do të shënohet me një pjesëmarrje më të gjerë studiuesish nga Kosova e Shqipëria, institutesh e katedrash universitare, program artistik e të tjera, shkruan gazeta KOHA. Organizatorët e këtij manifestimi pohojnë se brenda mundësive janë përpjekur që pjesëmarrja të jetë më masive, duke iu përgjigjur kështu interesimit të studiuesve nga jashtë vendit për të qenë pjesë e karnavaleve ilire, të njohura për formën unike me të cilën shënohet kalimi nga një stinë në tjetrën dhe që nuk haset në karnavalet që zhvillohen në trevat e tjera shqiptare.

Ritet në Malësinë e Sharrit, krahasimi me popujt e tjerë dhe manifestimeve të tjera të ngjashme do të jenë pjesë e tribunës shkencore me të cilën parashikohet të hapet programi festiv. Si pika të tjera të programit krahas performansave me këngë e valle nga këngëtarë e ansamble nga Shkupi e Tetova do të jenë edhe ritualet karnevaleske, që me ndryshime të vogla prezantohen në formën e tyre autentike.

“Asgjë nuk ka ndryshuar në përmbajtjen e karnavaleve tëq cilat mundohemi që t’i ruajmë ashtu siç i kanë organizuar të parët tanë. Këtë vit shënojmë dhjetë vjet që nga rifillimi i traditës së karnavalit që pati një ndërprerje të gjatë dhe besojmë se do të vazhdojmë kështu pa ndërprerje. Kjo ngjarje është e rëndësishme pasi me të tregojmë vlerat, traditat që të tjerët mundohen që t’na i mohojnë”, thotë për KOHA, një prej organizatorëve kryesorë Neshat Mehmedi.

I vetmi ndryshim dhe element i ri që është prezent për dy vjet me radhë është përfshirja e gjinisë femërore në ritualet e karnavalit. Nëse vitet e kaluara roli i gruas kufizohej brenda shtëpisë dhe gatimeve tradicionale, ndërsa gratë zëvendësoheshin me meshkuj që i imitonin, vjet rituali i nusërimit (teleisjes) realizohet nga tre gra, që këtë vit do të jenë shtatë. Pikat e tjera të karnavaleve kanë si protagonistë meshkujt, paradë me meshkuj të veshur me rroba të endura me lesh, të kombinuara me lëkurë dhe gëzofë kafshësh, brirë, e të tjera. Karakteristike dhe unike cilësohen maskat zoomorfe të cilat sipas studiuesve paraqesin një ndërlidhje midis të gjallëve dhe të vdekurve, me një periudhë që shënon pikëtakimin mes kaosit dhe kozmosit, si edhe kali i drurit. Sa i takon tematikës së këngëve dhe valleve që interpretohen ato kryesisht lidhen me përditshmërinë lindjet, vdekjet, mërgimin, dasmat e të tjera.

Karnavalet ilire të Malësisë së Sharrit konsiderohen si më të vjetrat në Ballkan dhe më parë janë shënuar edhe në fshatra të tjerë, si Lisec,Veshalla dhe Shipkovica, por tradita vitet e fundit ruhet vetëm nga banorët e Bozovcës. Simbolizon ndërrimin e stinëve, kalimin nga dimri në pranverë dhe mënyrën sesi banorët bëhen gati për të nisur një jetë të re dhe për të larguar të këqijat. (koha.mk)