Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami në një intervistë ekskluzive për agjencinë ballkanike të lajmeve IBNA (Independent Balkan News Agency) në gjuhën angleze ka folur për ngjarjet e fundit në FYROM, pas ngritjes së simboleve etnike dhe fetare që po nxisin urrejtje ndëretnike dhe ndërfetare, për zgjedhjet e caktuara për 5 qershor si dhe zhvillimet e tjera. “Mendoj se Maqedonisë nuk i lejohet luksi i status quo-së. Ajo duhet sa më shpejt ta tejkalojë këtë “grip”, të stabilizohet, të rikthehet në agjendën e integrimit në NATO, sepse ndryshe nuk i këndohet këngë e mirë”, vlerëson Kasami.

 

IBNA: Si e vlerësoni situatën e krijuar politike, e cila po shoqërohet me shumë prapaskena dhe paqartësi politike?

Se çka është Maqedonia sot, këtë e kanë marrë vesh tashmë të gjithë. Një vend në të cilin ka rënë sistemi i drejtësisë, për këtë u desh të themelohet edhe Prokurori Speciale, pastaj rënia e sistemit të sigurisë, që u dëshmua nga materialet e përgjuara, dhe – më e rëndësishmja – në këtë vend nuk ka më demokraci. Siç e morëm vesh tashmë të gjithë, në këtë vend mandatet e pushtetit janë marrë përmes manipulimit të vullnetit të votuesit dhe këtu nuk mund të flasim më për demokraci.

Të gjendur në këtë situatë, kam drojë serioze se këta politikanë të papërgjegjshëm dhe joseriozë tashmë e kanë shkatërruar secilën shpresë se mund të bëhet më mirë në këtë shtet. Në kohën që temë e tyre është bërë si ta shpëtojnë kokën nga përndjekjet e mundshme nga Prokuroria Speciale, ata janë në gjendje të bëjnë thuajse gjithçka. Ajo që i druaj është se, duke u përpjekur ta shpëtojnë veten, ata nuk përtojnë ta djegin edhe popullin, siç e bënë skenarin në Kumanovë. Prandaj ne bëmë thirrje që shqiptarët të mos bien pre e skenarëve, si ato që i pamë të shtunën në Shkup, ku politikanët e pushtetit aktrojnë protestë kundër pushtetit, pra kundër vetvetes, vetëm që të provokojnë incidente dhe ashtu ta lajnë veten dhe krimet që i kanë bërë gjatë kësaj kohe.

IBNA: Sërish kemi shtyrje të zgjedhjeve dhe u caktua 5 qershori si datë e re. A mendoni se do të ketë plotësim kushtesh deri në këtë datë?

Shihni, kam përshtypje se Maqedonia është bërë një teatër ku aktorët luajnë lojën “kush kujt ia hedhë”. Ne e kemi thënë qëmoti se për neve nuk është e rëndësishme data e zgjedhjeve, por e rëndësishme është a janë përmbushur kushtet. Ndonëse dyshoj se këto kushte do të përmbushen deri më 5 qershor, unë do ta përsëris qëndrimin tonë, tashmë të thënë disa herë, se ne do të marrim pjesë vetëm në ato zgjedhje për të cilat bashkësia ndërkombëtare do të garantojë se janë përmbushur kushtet e nevojshme për zgjedhje të drejta dhe të lira. Në të kundërtën, asnjë faktori tjetër në Maqedoni nuk i besojmë. Aq më pak ose fare hiç partive në pushtet, të cilat gjatë gjithë kësaj kohe u dëshmuan se kanë bërë përpjekje që zgjedhjet të mbahen në kushte sa më të pafavorshme, në mënyrë që ato ta grabisin edhe një mandat. Nisur nga kjo, ne presim ta dëgjojmë deklaratën e bashkësisë ndërkombëtare se a janë përmbushur kushtet dhe pastaj të vendosim se a do të marrim pjesë.

IBNA: Cili është qëndrimi juaj për këto zgjedhje?

Ndonëse i kemi rezervat tona për korrektësinë e zgjedhjeve, ne nga këto zgjedhje presim që përfundimisht skena politike në Maqedoni të freskohet. Unë jam shumë i bindur se qytetarët e Maqedonisë këto zgjedhje do t’i përjetojnë jo vetëm si zgjedhje për ta ndërruar pushtetin, por si referendum për t’i ndryshuar vlerat. Në këto zgjedhje votohet a jemi për politikanë të ndershëm apo për politikanë me afera si ajo “Maxhar telekom”?; a jemi për politikanë që bëjnë skenarë si ai i Kumanovës apo për politikanë që me asgjë nuk e shesin paqen e këtij vendi?; a jemi për politikanë që e bëjnë Brodecin, Sopotin e Monstrën apo për politikanë që duan ta ribëjnë sistemin e drejtësisë?; a jemi për politikanë që ta bien ujkun në torishtë, si ata që për një shqiponjë ilegale në Çair, na sollën një kryq gjigand në Butel, apo për politikanë që nuk tallen me ndjenjat fetare të qytetarëve? Prandaj mendoj se këto zgjedhje janë një mundësi e mirë që kjo klasë politike përfundimisht të përjashtohet nga skena dhe në Maqedoni të vendosen standarde të tjera të politikëbërjes.  Nisur nga kjo, unë jam shumë i sigurt se një shqiptar ordiner, i ndershëm dhe i ndërgjegjshëm, është lodhur nga këta politikanë dhe e pret ndryshimin. Dhe, kësaj radhe askush nuk ka të drejtë të ankohet se nuk ka opsion tjetër. Tashmë nuk do të votohet mes dy të këqijave, të zgjidhet më e lehta, por mes errësirës dhe dritës, mes hajdutërisë dhe ndershmërisë, mes analfabetizmit dhe dijes.

IBNA: Cila është formula më e pranueshme për nxjerrjen e vendit nga kjo krizë e thellë politike dhe ekonomike?

Ne e kemi dhënë formulën e zgjidhjes së kësaj krize, por ajo është marrë në konsideratë vetëm pjesërisht. Në platformën tonë RIDEFINIMI, të propozuar qysh në mars të vitit 2015 kemi kërkuar ridefinimin e gjithë sistemit të shtetbërjes së Maqedonisë, sepse ne mendojmë se – kështu si është kurdisur – ky shtet në vazhdimësi do të prodhojë kriza, që gjithnjë krijojnë mundësi për pasoja të paparashikueshme. Ky vend, jo vetëm për shkak të shqiptarëve, por edhe për shkak të qëndrueshmërisë dhe vetvetes, n: kush janë bartësit e sovranitetit, çfarë shpreh emri i shtetit, çfarë duhet të shprehin simbolet e shtetit, cilat janë gjuhët zyrtare këtu, si merren vendimet në Qeveri, si merren vendimet në Parlament, si ndahet buxheti, cili është roli i komuniteteve joshumicë në sistemin e sigurisë e të drejtësisë, si bëhet shpërndarja e mjeteve për zhvillimin e barabartë rajonal etj. Përveç kësaj, ne patëm kërkuar Prokurori Speciale, që tashmë u bë, por patëm thënë se nuk mjafton vetëm ajo, porse duhet edhe Gjykatë Speciale dhe jam i sigurt se tash të gjithë janë bindur se sa ka qenë e rëndësishme kjo kërkesë.

Po ashtu patëm kërkuar reforma në sferën e mediave, që për fat të keq, as sot nuk po ndodhin. Nuk dëshirojmë të themi se kemi bërë profeci, por – për fatin tonë të mirë dhe për fatin e keq të vendit – për të gjitha ato që i kishim kërkuar ngadalë të gjithë faktorët po binden se janë parakushte që kjo krizë të tejkalohet.

IBNA: Në rast se kemi zvarritje dhe një status quo të tillë, çka mund ta presë Maqedoninë?

Mendoj se Maqedonisë nuk i lejohet luksi i status quo-së. Ajo duhet sa më shpejt ta tejkalojë këtë “grip”, të stabilizohet, të rikthehet në agjendën e integrimit në NATO, sepse ndryshe nuk i këndohet këngë e mirë. Kriza e refugjatëve, shtrirja e ndikimit serbo-rus dhe rritja e ekstremizmit, janë parashenja se, jashtë NATO-s dhe BE-së, Maqedonisë i kanoset rrezik serioz. Për këtë arsye, në këtë pikë nuk na lejohet asnjë dakikë neglizhencë, sepse gjithçka mund të shkojë dëm.

Në këtë drejtim aq më të vëmendshëm duhet të jenë shqiptarët. Ata nuk guxojnë të tallen me premtime boshe të tipit “për gjashtë muaj hyjmë në NATO”, sepse këto janë tema serioze që nuk durojnë joseriozitet të tillë. Shqiptarët duhet të deklarohen haptazi dhe pa ekuivoke se, nëse maqedonasit nuk e duan NATO-n dhe BE-në, këtu mund të na ndahen rrugët. Dhe, këtë të mos e thënë që vetëm t’u pëlqejnë perëndimorëve, por në këtë të këmbëngulin pa asnjë kompromis. /IBNA