Gjykata e Lartë në Madrid ka liruar 6 nga liderët katalanas të arrestuar për shpalljen e njëanshme të pavarësisë, ndërsa dy të tjerë i ka lënë në qeli.

Tetë politikanët u arrestuan muajin e kaluar, ndërsa lideri i tyre, Carles Puigdemont arriti të arratisej në Belgjikë.

Ndaj tyre rëndojnë akuzat e rebelimit dhe kryengritjes, për shkak të organizimit të referendumit për shkëputjen e Katalonjës nga Spanja.
Ata që këtë të hënë fituan lirinë do t’u duhet megjithatë të paguajnë një garanci prej 100 mijë euro secili.

Ndërsa ata që do të vijojnë periudhën e burgimit janë zëvendësi i zotit Puigdemont, Oriol Jungueras dhe ish-ministri i Brendshëm rajonal, Joaquim Forn.

Ndërkohë, në qeli vazhdojnë të qëndrojnë edhe dy liderët separatistë Jordi Sanchez dhe Jordi Cuixart.

Lëvizja e fundit e gjykatës spanjolle ka ardhur një ditë para nisjes së fushatës për zgjedhjet e 21 dhjetorit në Kataloni.

Një sondazh i ri sugjeron se partitë pro-pavarësisë nga Spanja do të pësojnë një rënie të lehtë në këtë proces. Anketa është realizuar nga Qendra Spanjolle për Kërkimet Shoqërore mes votuesve katalanas në fund të nëntorit.