Prokurorja në largim e PSP-s, Katica Janeva, të cilës iu shqiptuar paraburgim prej 30 ditëve si e dyshuar në rastin “Reket” , nuk është vendosur në repartin e grave në burgun e Shutkës. Ajo tash më dy ditë po qëndron në një repart të veçantë për shkaqe sigurie, thotë drejtori i burgut hetimor në Shkup, Esad Rahiç në një intervistë për Radio Evropën e Lirë që do të transmetohet plotësisht të dielën.

“Në parim, asnjë i ndaluar nuk është vetëm. Gjithmonë duhet të jetë një tjetër person në çeli. Sidoqoftë, pasi është ish-prokuror special, është në interes të publikut, dhe për shkak se u bë kaq shpejt, ne kemi ndjerë se brenda një periudhe të caktuar kohore duhet të bëjmë një vlerësim të plotë të sigurisë dhe shëndetit të saj”, thotë Rahiç.

Në rastin “Reket”, përpos Janevës të dyshuar kryesorë janë edhe Bojan Jovanovski-Boki 13 dhe Zoran Milevski- Zoki Kiçeec.