Fillimi i festivalit të 25 jubilar “Këngë Jeho”-Strugë 2016, filloi me parakalimin tradicional të shoqërive dhe ansambleve pjesëmarrëse të natës së parë të festivalit.

Artistët parakaluan rrugëve të qytetit dhe shetitores së Drinit të Zi, me në krye anëtarët e Drejtorisë së festivalit Zini Jusifi e Bekim Vinca dhe SHKA “Shpresa” nga Veleshta, Ansamblit “Tirana” nga Tirana, SHKA “Rrapsha” nga Tuzi – Mali i Zi, dhe të Ansamblit “Zëri i Kosovës” nga Fushë Kosova.

Me tu ngjitur në skenën e festivalit, moderatorja Premtime Zulali, fillimisht theksoi se ky festival ka një fillim ndryshe nga të gjertanishmit, duke aluduar në shënimin e 25 vjetorit të festivalit dhe paralajmëroi dokumentarin kushtuar 25 viteve të kaluara të festivalit, të autorit dhe regjisorit Llesh Nikolla, i cili kishte përmbledhë pë rata pak minuta një histori 25 vjeçare, duke evokuar kujtimet e fillimit të këtij festivali.

Përmes bisedave me ish drejtuesit e festivalit, Nafi Doko, Shpëtim Pollozhani, Çerkez Iljazi, Zini Jusufi, drejtorit aktual Dilaver Lloga dhe kryetarit të komunës Ziadin Sela, e të ilustruar me pika muzikore dhe koreografike nga festivalet e kaluara,  autori sjell në kujtesën e qytetarëve strugan, spektatorëve në mbarë hapsirën shqiptare se festivali “Këngë Jeho” është festivali më jetëgjatë shqiptar, pas festivalit të Gjirokastrës, në skenën e të  cilit deri më tani janë ngjitur mbi 20 mijë artist pjesëmarrës në këtë festival, jsnë prezantuar mbi 300 lloje kostumesh e veshjes kombëtare, ku gjurmë të pashlyeshme kanë lënë emrat e mëdhenj të fushave të ndryshme të etnomuzikologjisë dhe koreografisë si Panajot Kanaçi, Ramazan Bogdani, Ramadan Sokoli, Engjell Tërshana, Afërdita Onuzi, Bahtir Sheholli, Fahri Beqiri, Agron Xhagolli etj. Poashtu, në skenën e festivalit janë ngjitur edhe emrat më të spikatur të këngës shqiptare si p.sh. Dava Gjergji, Irini Qirjako, Ilir Shaqiri, Selami Kolonja, Shkurte Fejza etj etj, si dhe shumë artist të skenës teatrore e kinematografike shqiptare.

Në fjalën e shkurt të rastit drejtori i festivalit Dilaver Lloga theksoi se “Ky festival është një dasëm e madhe, një sofër e shtruar tash e 25 vjet, që përkundër vështërsive ky festival ka mbijetuar, sidomos viteve të fundit, ku Ministria e kulturës ndihmën e ka të kufizuar, por mbështetjen më të madhe e ka dhënë komuna e Strugës ndërsa sivjet është edhe sponsori general “Ing Luli”,  ndaj e ftoj kryetarin e komunës Ziadin Sela që ta shpallë të hapur këtë festival”.

Kryetari i komunës Ziadin Sela, pasi evokoi kujtimet e tija që nga festivali i parë dhe vështsitë e fillimeve të para, tha: “Mundohen përmes çdo forme të pengojnë këtë festival, por këto përpjekje aq më tepër na e shtojnë inatin që ta mbajmë gjallë. Meqenëse tani është koha edhe kur gurbetqarët janë në vendlindje, apeloj që edhe atyre tu shtohet “inati” e sa më shumë të këthehen në vendlindje dhe e shpallë të hapur festivali e 25 jubilar “Këngë Jeho”-tha Ziadin Sela.

Më pas, fishekzjarret paralajmëruan se në skenë do të ngjiten dueti Besjana Memeti &Shkodran Tolaj, me këngën e komponuar enkas për 25 vjetorin e festivalit nga Shkodran Tolaj.

Në natën e parë të festivalit,  në skenën e hapur para publikut u paraqitën  Ansambli “Tirana” nga Tirana, me një program me këngë e valle, për të vazhduar me këngëtarin Arif Vladi, SHKA “Shpresa” nga Veleshta, SHKA “”Rrapsha” nga Tuzi i Malit të Zi, këngëtarin strugan Agim Poshka dhe në përmbyllje, pasi deri në ato momente nuk kishin ardhur –edhe pse ishin paralajmëruar se do të vijnë Ansambli “Nakem” nga Bursa e Turqisë, programin e natës së parë e përmbyllën anëtarët e  Ansamblit “Zëri i Kosovës” nga Fushë Kosova.

Sonte, natën e dytë të festivalit në skenë do të ngjiten SHKA-të: “Rrajca” nga Librazhdi, “Xheladin Zeqiri”-Tetovë; “Nakem” nga Bursa e Turqisë“ (?), “Rrezet e Strugës “ –Strugë, “Bajram Shabani”-Kumanovë dhe Ansambli “Zëri i Kosovës” nga Fushë Kosova. Mysafire e mbrëmjes është Bora Kaba./INA