Këshilli Opozitar: Ata që nuk protestojnë sot, nuk kanë të drejtë as të ankohen nesër!

Të nderuar gazetarë të pranishëm në këtë konferencë për media,

Të nderuar qytetarë shqiptarë të Maqedonisë dhe më gjerë,

 

Këshillit Opozitar, përkatësisht Këshilli për Organizimin e Protestës “DITA D: Drejtësi, Dinjitet, Demokraci”. mbajti sot konferencë për shtyp, ku njoftoj për rrjedhën e aktiviteteve për mbajtjen e  protestës së paralajmëruar për nesër.

Në vazhdim deklarata:

Ashtu siç jeni të informuar tashmë, të hënën (më 9 Maj) – në Ditën e Evropës, por edhe në ditën kur kujtohet ngjarja e hidhur e vitit të kaluar në Kumanovë, Këshilli Opozitar ka bërë thirrje për një protestë shqiptare me moton “DITA D: për Drejtësi, Dinjitet, Demokraci”. Kësaj thirrje, përveç organizatave politike shqiptare, pra partive, por edhe organizatave joqeveritare e intelektualëve të pavarur, që janë pjesë e Këshillit Opozitar, i janë bashkuar me mbështetje dhe përkrahje edhe parti të tjera politike të opozitës shqiptare, OJQ, si dhe personalitete të tjera të larta të jetës akademike, publicistike e artistike në Maqedoni. Kjo listë është e gjatë, janë dhjetëra emra që meritojnë falënderim, ndërsa që të mos e harrojmë dikë pa e përmendur, ne do t’i falënderojmë në mënyrë të përgjithësuar të gjithë ata që e kanë mbështetur protestën tonë. Në këtë mënyrë, përveç që e kanë ndihmuar atë, kanë dëshmuar se janë kundër regjimit antishqiptar VMRO-BDI dhe se janë për vlera evropiane, për integrim evropian, por edhe për Drejtësi, Dinjitet dhe Demokraci për shqiptarët. Ju faleminderit të gjithëve!

Me këtë rast më lejoni t’ju njoftoj me agjendën e protestës. Marshi protestues do të niset nga parku i Çairit në Shkup në orën 17.30 dhe para orës 18.30 do të ndalojë para Qeverisë. Aty do të lexohet deklarata e protestës dhe do të mbahen vetëm dy fjalime nga dy përfaqësues të Këshillit Opozitar. Këtu përsërisim se protesta është kombëtare shqiptare dhe flamurët dhe simbolet e lejuara në të janë vetëm flamurët shqiptarë dhe asnjë simbol tjetër partiak ose politik. Prandaj, ju ftojmë t’i merrni familjet tuaja, madje edhe fëmijët tuaj dhe të dilni të protestojmë bashkërisht.

Meqë zëri shqiptar ka mbetur i papërfaqësuar, sepse interesin tonë nuk e mbron askush më, neve nuk na ka mbetur asnjë shteg tjetër, pos të protestojmë dhe të deklarohemi se – përkundër asaj se çifti VMRO-BDI ka bërë shkarje nga Europa – shqiptarët nuk shohin asnjë rrugë tjetër, pos Europës. Kjo protestë duhet ta ngrejë zërin edhe kundër të gjithë atyre që kanë lejuar, kanë bërë ose kanë inskenuar procese të montuara politike, për shkak të të cilave sot po kalben burgjeve dhjetëra shqiptarë të pafajshëm. Nëse nuk reagojmë, ata janë në gjendje t’i përsërisin ata skenarë. Prandaj duhet të reagojmë dhe të protestojmë. Duhet të protestojmë edhe për arsye se neve na është marrë e drejta demokratike e votës, sepse çifti VMRO-BDI gjithnjë kishin manipuluar me vullnetin tonë dhe ne gjithnjë kemi dalë humbës. Dhe, më e rëndësishmja, protesta është mjet që të deklarohemi se nuk jemi të gjithë shqiptarët të nënshtruar dhe të përulur para shefave të VMRO-së, porse kemi dinjitet njerëzor, të cilin nuk lejojmë ta nëpërkëmbë askush.

Nisur nga kjo, ne ju bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve – kudo që janë – që të bashkohemi nesër në këtë protestë, që prej poshtë ta ngremë zërin qytetar të pakënaqësisë dhe protestës, sepse kështu e ndihmojmë edhe punën e Prokurorisë Speciale Publike dhe bashkësisë ndërkombëtare që edhe ata ta bëjnë punën e tyre prej sipër, që kështu ta bluajmë krimin, korrupsionin, tradhtinë, mashtrimin dhe nëpërkëmbjen.

Ata që nuk protestojnë sot, nuk kanë të drejtë as të ankohen nesër!

Ju faleminderit!