thaciFillimi i muajit prill është koha e fundit kur Kosova duhet të zgjedhë Presidentin e vendit, kurse pretendent për këtë post është lideri i PDK-së dhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi.

Me sa duket Thaçi nuk do ta ketë aspak të lehtë të marrë këtë post meqë nuk i ka të sigurta votat e deputetëve të koalicionit me theks të disa deputetëve të LDK-së.

Në mesin e deputetëve të LDK-së të cilët e kanë thënë hapur se nuk do ta votojë Hashim Thaçin për president është Adem Salihaj i cili vazhdimisht ka përsëritur se nuk do ta votojë Thaçin për president.

“Qëndrimi im do të jetë konseguent,unë nuk e votoj Hashim Thaçin për President në asnjë situatë dhe në asnjë rrethane. Zgjedhja eventuale e tij për President do te ishte një lajm shumë i keq për Kosoven, sepse do të thoshte se shefi i një partie të lidhur me krimin e organizuar dhe korrupsionin do të ishte edhe pesë vite në krye të shtetit. Kosova njëherë e përgjithmonë duhet ti japë fund qeverisjes së krimit të organizuar.”, është shprehur Salihaj

Edhe deputetja më e votuar Vjosa Osmani e cila në fakt nuk e ka votuar qeverinë e koalicionit, qysh atëherë dhe vazhdimisht është deklaruar publikisht se nuk do ta votojë Hashim Thaçin për president pyetur se a do ta votoni Thaçin president, Osmani thotë jo, sikur edhe mendon që duhet penguar mos votimin.

”Jo natyrisht se nuk do ta votoj. Dhe mënyra e vetme për të parandaluar zgjedhjen e Thaçit president është duke ia pamundësuar kuorumin”, është shprehur Osmani.

Fatmir Rexhepi, gjithashtu është njëri nga deputetët e LDK-së që nuk ka votuar Qeverinë e koalicionit PDK-LDK në nëntor të vitit 2014, ndërsa nuk është deklaruar asnjëherë nëse do të votojë Thaçin për president siç e parasheh marrëveshja e koalicionit.

Ai ka thënë se Kosova duhet t‘i tejkalojë të gjithë sidat që e presin duke dialoguar dhe duke arritur koncensus me të gjitha subjektet dhe në këtë dialog padyshim thotë ai është edhe arritja e koncensusit edhe për zgjedhjen e Hashim Thaçit president.

Rexhepi thotë se presidenti duhet të zgjidhet, por nuk deklarohet nëse do të votojë apo jo Thaçin president.

Armend Zemaj, deputet i LDK-së, shumë herë është deklaruar se nuk do ta votonte Hashim Thaçin për president të vendit, pavarësisht se subjekti i tij LDK tashmë ka një marrëveshje që Thaçi të jetë president.

Zemaj në një rast ka deklaruar se nuk mund ta votojë Thaçin president, sepse kjo do të shprehte vullnetin e kundërt me votuesit e tij.

Anton Quni, deputet i LDK-së për rastin e zgjedhjes së Thaçit president nuk është deklaruar shumë.

Megjithatë Quni në një emision televiziv ka thënë se nuk ka arsye ta votojë Thaçin, pasi sipas tij, ka persona më të mirë se ai.

“Unë kam një bindje se shoqëria jonë mund të ofrojë persona që kanë kredibilitet shumë më të lartë dhe një profil më të lartë politik, moral, intelektual se Hashim Thaçi dhe deri sa të ekzistojë kjo arsye nuk jam në siklet ta votoj. Dhe, nuk ka arsye ta votoj”, pati thënë deputeti i LDK-së.

Se është kundër zgjedhjes së Hashim Thaçit president, është shprehur edhe deputeti Arben Gashi.

”Kam thënë edhe atëherë se për mua nuk është zgjidhje që Thaçi të jetë president”, është shprehur deputeti Arben Gashi për Botapress.

Ndërkohë Doruntinë Maloku e cila është një nga deputetet e LDK-së , që nuk e ka votuar Qeverinë e koalicionit PDK-LDK, nuk ka dashur të deklarohet fare nëse do të votojë apo jo Thaçin për president.

Nuk e ka bërë publik qëndrimin pro apo kundër zgjedhjes së Thaçit president edhe deputetja Alma Lama e cila në asnjë rast nuk ka konfirmuar se do ta ketë votë pro apo kundër kandidatit Thaçi.