Kanë ngelur edhe dy ditë nga fillimi i fushatës zgjedhore për zgjedhjet vendore në FYROM të 15 tetorit, ndërsa partitë politike po bëjnë përgatitjet e fundit. Deri në fund të javës gati të gjitha partitë do të zhvillojnë konventat e promovimit të kandidatëve.

Njohësit e zhvillimeve politike thonë se fushata do të jetë tejet e ashpër dhe një garë që do të lë në hije zgjedhjet vendore. Kjo pasi që VMRO-DPMNE e udhëhequr nga Nikola Gruevski ka theksuar se nëse fiton zgjedhjet e 15 tetorit, atëherë vendi menjëherë duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, duke rrëzuar qeverisjen e socialdemokratit Zoran Zaev. Ndërsa, Lidhja Social Demokrate Maqedonas (SDSM) do të bëjë përpjekje për të fituar sa më shumë komuna, përfshirë edhe Qytetin e Shkupit, si arenë kryesore e garës zgjedhore.

Analisti politik Nano Ruzin thotë se përveç se një gare të fortë se kush do të dal i pari dhe do të fitojë në më shumë komuna, në fushatë do të dominojnë edhe ofertat e partive.

“Nga LSDM pritet të ketë një fushatë ku do të flitet për rikthimin e drejtësisë, reforma, liria e fjalës dhe projekte të rëndësishme për qytetarët. Nga ana tjetër kemi fushatën e DPMNE-së, e cila do të jetë e drejtuar kah vlerat nacionaliste, dhe para se gjithash do të insistohet për një mjegullim, e ajo është se nuk duhet të vijnë migrantë në shtet, do të flitet për marrëdhëniet ndëretnike, për shqiptarizim, për shitje të gjuhëve”, theksoi Nano Ruzin.

Sipas vendimit të Komsionit Shtetëror të Zgjedhjeve, fushata zgjedhore për zgjedhjet e 15 tetorit do të fillojë më 25 shtator në mesnatë dhe do të përfundojë më 13 tetor. Të drejtë vote në zgjedhjet lokale do të kenë 1,8 milionë qytetarë.