Rolin e udhëheqjes së re të Bashkësisë Islame në Shkup e përshkruante edhe Vasa Çubrilloviq, i cili në referatin me titull ‘Problemi i pakicave në Jugosllavinë e Re’, lexuar me 3 nëntor 1944 në Beograd, ndër të tjera shprehet: “Kur pas marrëveshjes zgjedhore me Stojadinoviçin, nëpërmjet Mehmet Spahos, Ferhat bej Draga arriti ta zgjerojë autonominë e Bashkësisë Fetare Islame edhe në Serbinë e Vjetër dhe në Maqedoni me seli në Shkup, separatistët shqiptarë përfituan një armë të fuqishme në duart e tyre. Ata për dy tre vjet aq shumë e shfrytëzuan, saqë në duart e tyre e morën e gjithë organizatën fetare dhe arsimore të myslimanëve në jug. Nëpërmjet saj ata u organizuan politikisht, dhe kaluan në sulm…”

Nga Qerim LITA

(vijon nga numri i kaluar)

Pas skandalit të fundit në kreun e BFI-së së Maqedonisë, i cili tronditi thellë shpirtrat e besimtarit të devotshëm shqiptar-myslimanë, e pashë të arsyeshme që për lexuesit e gazetës shqiptare KOHA – Shkup dhe jo vetëm, në disa vazhdime të bëjmë një përshkrim kronologjik për pozitën dhe veprimtarinë e Mexhlisit të Ulemasë së Shkupit midis dy luftërave botërore. Siç do të shihni, theks të veçantë u kam kushtuar zgjedhjeve të para të lira që kjo bashkësi i mbajti në vitin 1937 me çka në krye të saj erdhën atdhetarët e shquar kombëtar e fetarë shqiptarë, të cilët për tre vjet sa qëndruan në krye të asaj bashkësie, lanë gjurmë në historiografinë shqiptare. Besoj se ky punim studimor do të ndikoj tek popullsia shqiptare myslimane në përgjithësi, e te hoxhallarët në veçanti, që në krye të kësaj bashkësie të mos vijnë njerëz të korruptuar (siç janë tani), të pamoralshëm e të cilët si qëllim parësor nuk e kanë mbrojtjen e interesit të Islamit, por pasurimin e tyre personal. Kjo u pa në mbledhjen e fundit, ku ata të cilët e shkarkuan kryetarin e mëparshëm, deri dje ishin mbështetësit më të mëdhenj të të parit të tyre.

Nisur nga ky fakt i mësipërm, përkatësisht nga fakti se popullsia shqiptare-myslimane, në përgjithësi ishte në nivelin tepër të ulët kulturor-arsimor, që vinte si rrjedhojë e mospasjes së të drejtës për t’u arsimuar në gjuhën amtare, Këshilli i Kuvendit Mearif të Vakëfit, rëndësi të madhe i kushtoi ndarjes së bursave si për nxënësit e shkollave të mesme, po ashtu edhe për studentët të cilët studionin në Universitetin e Beogradit e atë të Zagrebit. Këtë e shohim në buxhetet e viteve 1937/38, 1938/39 dhe 1939/40, ku një shumë e madhe ishte caktuar për këtë lëmi. Buxheti i vitit 1937/38 shuma e përgjithshme arrinte shifrën prej 11.385.500 dinarë, prej saj 650.000 ishin paraparë për bursa të studentëve. Shuma e njëjtë ishte në buxhetin e vitit 1938/39, ndërsa në vitin 1939/40 kjo shumë u rritë në 800.000 dinarë. Nga kjo shumë përfituan bursa mbi 150 studentë shqiptarë, turq e boshnjak. Në mesin e bursistëve pati edhe disa personalitete të cilët kanë lënë gjurmë në historiografinë shqiptare: Esad Doko, Dr. Zyrap Sejfullau, akademik Esad Mekuli, Mexhid Esadi, Nexhmedin Besimi, Xhevdet Pallaska, Jahja Osmani, akademik Idriz Ajeti, Sokol Dobroshi, Tahir Ismaili, Ibrahim Lutfiu, Abdulla Saqipi, Shaip Kamberi, Shaip Mustafa, Kurtesh Agushi, etj.

E gjithë kjo tronditi thellë qarqet e atëhershme serbomadhe në Shkup, të cilat pa ndërprerë i raportonin Beogradit për aktivitetin politik e atdhetar të Dragës dhe të kreut të BFI-së. Si shenja të dukshme të veprimit të Ferhat bej Dragës dhe miqve të tij, thuhej në një dokument të proveniencës policore të Mbretërisë jugosllave, “janë përpjekjet që shqiptarët të tubohen në radhët e ngushta, të zgjedhin njerëzit e tyre, të cilët do t’i përfaqësojnë në Kuvendin Kombëtar si dhe njerëzit e tyre në krye të administratave komunale. Në këtë shumë kanë ndihmuar edhe mësuesit e mësim-besimit fetarë, hoxhallarët e zyrtarët e vakëfeve. Si rrjedhojë e punës së këtillë, me qëllim që kompaktësia të jetë sa më e madhe, ka ardhur edhe deri te pajtimi i gjaqeve e të kontesteve tjera nga ana e parisë shqiptare”. Kjo kompaktësi e popullsisë shqiptare, thuhej më tej në dokument, “ka ardhur në shprehje në zgjedhjet e përgjithshme të Bashkësisë Fetare Islame në vitin 1937 kur Ferhat bej Draga me përkrahësit e tij (grupimi shqiptar), ka dalë si fituese ndaj grupimit të bashkësisë radikale jugosllave”. Gjithnjë sipas dokumentit në fjalë, në programin politik të udhëheqjes së BFI-së përparësi kishin dy çështje:

E para, shpërndarja në popull e literaturës shqiptare, e cila asaj kohe depërtonte ilegalisht përmes kufiri dhe, E dyta, ndërprerja e tërësishme e shpërnguljes së popullsisë shqiptare, qoftë për Turqi, qoftë për Shqipëri.

Lidhur me këto dy çështje, në dokument shprehimisht thuhej: “Lëvizja për shpërnguljen, e cila qe përfshirë te popullsia e jonë shqiptare deri në vitin 1936, sot është ngulfatur. Fshatra të tëra ishin të gatshme t’i lëshojnë vatrat e tyre dhe t’i lënë pasuritë pa as çfarë dëmshpërblimi vetëm se shteti t’i lirojë nga tatimi i tokës, t’u jep pasaporta pa para dhe t’ua paguajë rrugën deri në kufirin tonë. Me intervenimin e administratës së Banovinës Mbretërore, Ministria e Punëve të Jashtme u përpoq ta ndihmojë shpërnguljen, mirëpo nuk u arrit që të shfrytëzohet kjo lëvizje. Më vonë erdhi ndikimi si nga ana e parisë së tyre, mësuesve fetarë, po ashtu edhe nga ana e Shqipërisë, përmes agjentëve të tyre dhe shpërngulja tërësisht u ndërpre, përkatësisht lëvizja për shpërngulje. As masat e rrepta agrare, as konfiskimi i armatimit nuk patën sukses që kjo çështje të fillojë nga pika fillestare, ngelet vetëm një rrugë, shpërngulja përmes rrugës së caktuar diplomatike sipas Konventës së nënshkruar me Turqinë, edhe pse shqiptarët flasin publikisht se në asnjë mënyrë nuk do t’i lëshojnë vatrat e tyre”.

Rolin e udhëheqjes së re të Bashkësisë Islame në Shkup e përshkruante edhe Vasa Çubrilloviq, i cili në referatin me titull ‘Problemi i pakicave në Jugosllavinë e Re’, lexuar me 3 nëntor 1944 në Beograd, ndër të tjera shprehet: “Kur pas marrëveshjes zgjedhore me Stojadinoviçin, nëpërmjet Mehmet Spahos, Ferhat bej Draga arriti ta zgjerojë autonominë e Bashkësisë Fetare Islame edhe në Serbinë e Vjetër dhe në Maqedoni me seli në Shkup, separatistët shqiptarë përfituan një armë të fuqishme në duart e tyre. Ata për dy tre vjet aq shumë e shfrytëzuan, saqë në duart e tyre e morën e gjithë organizatën fetare dhe arsimore të myslimanëve në jug. Nëpërmjet saj ata u organizuan politikisht, dhe kaluan në sulm…”.

Veprimtaria atdhetare e kreut të BFI-së në Shkup i prishi të gjitha planet e projektet antishqiptare, të parapara nga ana e udhëheqjes së atëhershme jugosllave, në radhë të parë, atë të shpërnguljes, për çka gjatë vitit 1938, me Qeverinë e Republikës së Turqisë, nënshkruan Konventën për dëbimin e 40.000 familjeve myslimane nga Jugosllavia për në Turqi. Në këto rrethana, qeveria Cvetkoviq-Maçek urdhëroi ministrin e Drejtësisë, L. Markoviq, të ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj BFI-së në Shkup. Ky i fundit, me vendimin nr. 42554/40-IV, të nënshkruar më 17 maj 1940, i suspendoi të gjitha organet e Bashkësisë Fetare Islame në territorin e Mexhlisit të Ulemasë në Shkup dhe në vend të organeve legjitime, emëroi një komisariat shtetëror, të përbërë prej tre personash: Mehmet Zeki, Dervish Sheqrkadiq dhe Murat Sheqeragiq, që të tre njerëz të besueshëm të politikës serbomadhe. Një vendim i tillë, siç u mundua ta arsyetojë ministri, kishte ardhur për shkak se gjoja Ministrisë së Drejtësisë i kishin arritur “ankesa nga një numër i konsiderueshëm i myslimanëve” nga territori i Mexhlisit të Ulemasë në Shkup, “nga të cilat vihet në dukje se në Bashkësinë Fetare Islame në atë territor që nga zgjedhjet e Kuvendit Mearif të Vakëfit në Shkup, të kryera në vitin 1937, mbisundon një situatë e jashtëzakonshme….”. Në vendim, përcaktoheshin detyrat dhe kompetencat e Komisariatit, ku thuhej shprehimisht: “Anëtarët e emëruar të Komisariatit Shtetëror do të kryejnë revizionin e punës së tërësishme të trupave dhe organeve të Bashkësisë Fetare Islame në territorin e Mexhlisit të Ulemasë në Shkup, duke filluar nga zgjedhjet e mbajtura në vitin 1937 e deri në ditën e pranimit të detyrës së Komisariatit dhe do të më raportojnë për rezultatin e punës së tyre, si dhe do të më japin raport se në cilin afat do të mund të shpalleshin zgjedhjet e reja për Kuvendin Mearif të Vakëfit në Shkup. Gjatë kohës së punës së Komisariatit Shtetëror në tërësi ndërpritet puna e mbarë funksionarëve e nëpunësve të zgjedhur në trupat qendrore në territorin e Mexhlisit të Ulemasë në Shkup.

Emërimit të Komisariatit shtetëror rëndësi të veçanti i kushtoi edhe shtypi i atëhershëm ditor e periodik. Fletushka për gjoja “ngritjen” kulturore dhe ekonomike të myslimanëve “Nash Dom”, redaktor i së cilës ishte përkrahësi i politikës serbomadhe, Zyfer Musiq, në numrin e jashtëzakonshëm të datës 21 maj 1940 në faqen e parë me shkronja të mëdha shkruante: “U vendos komisariati në Bashkësinë Fetare Islame në Jug”, ndërsa si nëntitull ishte: “I erdhi fundi i arbitrarizmit dhe shkeljes së ligjit në Bashkësinë Fetare Islame”. Duke e përkrahur pa asnjë rezervë vendimin, në të thuhej: “Nuk mund të paramendohet, e ku më të përshkruhet, ajo veprimtari arbitrare e joligjore, të cilën e ka zbatuar grupi i z. Ferhat Dragës në Bashkësinë Fetare Islame në Jug. Këtë më së miri e ka të qartë pasuria e Vakëfit, e cila është shpenzuar në mënyrë të paskrupullt. Ky grup i njerëzve kanë harruar se ajo është institucion i të gjithë myslimanëve, e jo vetëm i bejlerëve, të cilët përbëjnë lëngun e rrezikshëm në trupin e myslimanëve mbarë e, me këtë, edhe të botës punëtore shqiptare në vendin tonë….”.

Të njëjtën ditë, përkatësisht më 21 maj 1940, i deleguari i banit të Shkupit, inspektori Daut Vilhem, së bashku me tre komisarët e lartpërmendur shkuan në selinë e Mexhlisit të Ulemasë në Shkup, me qëllim – siç thuhet në një dokument që “anëtarëve të Mexhlisit të Ulemasë z. Sherif Osmanit, Ataullah Kurtishit, Bedri Hamidit dhe Idriz Hajrullaut t’ua dorëzojnë vendimin e nënshkruar nga ana e ministrit të Drejtësisë, me të cilin në territorin e Mexhlisit të Ulemasë në Shkup vendoset Komisariati Shtetëror, i cili do t’i ndërmarrë të gjitha detyrat e funksionet e funksionarëve e nëpunësve të zgjedhur të BFI-së në territorin e Mexhlisit të Ulemasë në Shkup”. Një kërkesë e tillë u refuzua në mënyrë kategorike nga të katër anëtarët e atij mexhlisi, të cilët deklaruan: “Vendimin e Ministrisë së Drejtësisë nr. 42554/40-IV, me të cilin vendoset Komisariat Shtetëror dhe ndërprerja e çdo veprimtarie tonë të mëtutjeshme, e konsiderojmë si joligjor, prandaj nuk mund t’ua dorëzojmë detyrën komisarëve të caktuar”. (vijon në numrin e ardhëm)