Presidenti i Kubës, Raul Kastro, është zotuar gjatë konferencës dy palëshe të mbajtur me homologun amerikan Barac Obama se nëse dikush do ti japë një listë me emra të burgosurish politikë ai do ti lirojë brenda natës.

Deklarata e tij erdhi si përgjigje ndaj pyetjes së një gazetari amerikan me origjinë kubane.

Kastro: Për çfarë të burgosurish politik e keni fjalën? Më jepni një emër, ose emrat e tyre nëse janë disa. Kur të mbarojë ky takim më jepni një listë me emrat e të burgosurve dhe unë ju jap fjalën se ata do të lirohen përpara se të përfundojë nata.

Deklarata të forta kanë ardhur edhe nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barac Obama, i cili tha se Kuba do të pësojë disa ndryshime dhe se homologu i tij Raul Kastro ishte në dijeni të kësaj gjëje.

Ai shtoi se për të ardhmen e vendit duhet të vendosin vetëm qytetarët e Kubës.

Sipas liderit të Uashingtonit, Kuba dhe Amerika kanë shumë mundësi për bashkëpunim dhe zhvillim jo vetëm në fushën ekonomike por edhe në ato shoqërore, edukative etj.

Obama: Unë mund t’ju konfirmoj se e ardhmja e Kubës nuk do të vendoset nga SHBA apo ndonjë shtet tjetër. Kuba është sovrane dhe e ardhmja e saj do të varet vetëm nga qytetarët kubanë, pra nga askush tjetër.

Obama deklaroi se me Presidentin Kastro kishte diskutuar edhe një sërë çështjesh mjaft të nxehta siç janë ato të të drejtave të njeriut dhe liria e shprehjes, megjithatë e shmangu në mënyrë jo të drejtëpërdrejtë pyetjen e një gazetari se përse Obama nuk pati një takim edhe me liderin revolucionar të Kubës, Fidel Kastro.

Presidenti amerikan tha gjithashtu se SHBA kanë planifikuar të heqin plotësisht embargo për Kubën, por pa dhënë një datë specifike se kur mund të ndodhë një gjë e tillë.

Vizita e Barac Obamës në Kubë ishte e para e një Presidenti amerikan pas 88 vitesh marrëdhënie të ftohta mes dy vendeve.