Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sot e filloi seancën e tetë. Pjesa e paradites e kësaj seance kaloi me konfirmimin e pikave të rendit të ditës.

Për shkak të mungesës së ministrit të Financave Dragan Tevdovski, nga rendi i ditës së seancës ishte hequr dhe sërish vendosur Propozim-ligji për plotësimin e Ligjit për kryerjen e Buxhetit të Republikës së Maqedonisë  për vitin 2017, me procedurë të shkurtuar.

Paraprakisht deputetët nga pozita dhe opozita  debatuan për këtë se kush mundet që të propozojë  plotësimin e rendit të ditës në seancat.

Kryetari i Parlamentit Talat Xhaferi apeloi tek përfaqësuesit e pushtetit ekzekutiv që të respektojnë Rregulloren e Kuvendit. Ai tha se e ka hequr Propozimin nga rendi i ditës sepse ministri i Financave nuk ka ardhur në kohë në seancë.

Ministri Tevdovski më pas arriti në seancë dhe kërkoi nga kryetari i Kuvendit që të  kthehet pika në rendin e ditës.

Kryetari  i Kuvendit pas konfirmimit të rendit të ditës së seancës së tetë dha pushim sepse deputetët do të merrnin pjesë në seancën e Komisionit për Çështje Evropiane  në të cilën do të fliste kryeministri Zoran Zaev për “Planin 3-6-9”.