Probleme dhe pakënaqësi të panumërta janë pjesë e pandashme e studentëve gjatë studimeve. Më së shumti ankohen për kushtet e mjerueshme në konviktet shtetërore. Jashtë kamerës disa studentë thonë se shumë kolegë të tyre i kanë lënë studimet përgjysmë. Melisa Salii, studente e arkitekturës në “Shën Kirili dhe Metodi” disa herë ka qëndruar në këto konvikte për shkak të detyrave ekipore nga fakulteti. Ajo thotë se kushtet janë të shkallës më të ulët.

Mendoj se edhe aty duhet të ketë më shumë rregullime sepse kanë nevojë studentët e çdo lloj drejtimi. Aty jetojnë, ajo duhet të jetë si një shtëpi e dytë, duhet t’ju ofrohen kushte më të mira që të kenë sukses në punën e tyre…Më ka ra që të qëndroj edhe me ditë në konvikt, mirëpo nuk janë kushtet e volitshme, aty e kuptova se më rehat është që të qëndrosh në një banesë ose në një shtëpi se sa në një konvikt të shtetit, mirëpo kur jemi te detyruar aty duhet edhe të përballemi me ato kushte- thotë Melisa Salii, studente e arkitekturës në “Shën Kirili dhe Metodij”.

Ndër problemet e tjera që shqetësojnë studentët është edhe mungesa e hapësirave të përshtatshme për përgatitje të provimeve, posaçërisht për studentet e arkitekturës. Gjithashtu, studentët hasin vështirësi edhe në furnizimin e materialit të duhur për profile të caktuara.

Kur kemi diçka projekte dhe vizatime për të bërë atëherë duhet ose të takohemi diku nëpër kafe ose diku tjetër që t’i bëjmë projektet se nuk mund të shkojmë në leximore se vet zhurma që e bëjmë me vizoret dhe gjërat e tjera shkakton pakënaqësi dhe duhet të largohemi. Materialet që i kemi në fakultet janë kryesisht të përkthyera ose i kemi në gjuhën angleze. Material në gjuhën shqipe kemi shumë pak, do të thotë ligjëratat që na i prezantojnë profesorët ashtu, në këtë mënyrë i marrim edhe i fotokopjojmë vet se libra ndryshe nuk kemi- thotë Ajlin Maliqi, studente nga Struga

Vërejtje dhe kritika vijnë edhe nga Unioni i Studentëve Shqiptar.

Kemi shumë pak biblioteka të cilat funksionojnë dhe përmbushin nevojat e tona. Deri më tani ne është dashur të udhëtojmë, ndoshta edhe t’i kalojmë dy tre komuna për të arritur deri te një bibliotekë për ta gjetur edhe titullin për të cilin ne kemi nevojë.. Nuk është aspak e lehtë për ti gjet as titujt po as për të gjet ndonjë vend ideal për të studiuar ose për të mësuar qetë. Numri i bibliotekave në qytet është shumë i vogël, andaj ne gjithmonë kemi kërkuar që së paku të gjitha dikasteret e ndryshme brenda shtetit ta shohin investimin në këtë aspekt- deklaroi Nermine Hamidi, kryetare e USSH-së.

Përveç kushteve për banim, studentët e konvikteve shtetërore shpesh herë janë ankuar edhe për mungesë higjiene dhe ushqim të dobët. Edhe pse nuk ka një numër të saktë, në Shkup thuhet se studiojnë mbi 6500 studentë nga të gjitha qytetet e Maqedonisë së Veriut.