Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Philip Kosnett, u shpreh sot se Kosova ka ende punë për të bërë në zhvillimin e saj ekonomik dhe forcimin e paqes, ndërsa bëri thirrje për t’iu ofruar të rinjve vende pune, pasi në mungesë të tyre njerëzit po e braktisin vendin.

Ai këto komente i bëri në ceremoninë përmbyllëse të Programit të lidershipit përmes të cilit janë ofruar bursa dhe partneritet në universitetet amerikane dhe atyre të Kosovës, i mbështetur nga Qeveria amerikane dhe ajo e Kosovës.

Njerëzit po ikin nga Kosova sepse nuk mund të gjejnë punë nëse nuk i takojnë familjes apo partisë së duhur dhe shumë të tjerë po e shqyrtojnë ikjen

Diplomati amerikan ka inkurajuar pjesëmarrësit e Programit të USAID-it Lidershipi Transformues (TLP) – Bursat dhe Partneritetet që të luajnë një rol të rëndësishëm për perspektivën e ardhshme dh t’iu prijnë ndryshimeve të rëndësishme në fushën ekonomike, politike e shoqërore.

Për më tepër diplomati amerikane foli edhe për sfidat me të cilat studentët e programit TLP do të përballen me ndërtimin e së ardhmes ekonomike të Kosovës, dhe gjetjen e mënyrave për tejkalimin e këtyre sfidave.

Ambasadori amerikan tha se për zhbllokimin e potencialit ekonomik, Qeveria e Kosovës duhet të fokusohet për t’iu ofruar të rinjve mundësi për t’i zhvilluar shkathtësitë e nevojshme për vendet e punës, reformën në sistemin e arsimit dhe mënjanimin e politikës nga sektori i arsimit.

“Drejtësia nënkupton t’iu mundësosh më shumë grave të marrin pjesë në tregun e punës dhe të kenë të njëjtat gjasa për sukses si meshkujt. Gjithashtu nënkupton mos përzierjen e politikës në procesin e punësimit. Njerëz brilant po ikin nga Kosova, sepse nuk mund të gjejnë punë nëse nuk i takojnë familjes apo partisë së duhur dhe shumë të tjerë po e shqyrtojnë ikjen”, tha ai.

Diplomati amerikan potencoi rëndësinë e vazhdimit të paqes në vend, duke thënë se ndërmarrjet nuk mund të kenë sukses pa pasur drejtësi dhe paqe të përsosur për Kosovën dhe fqinjët e saj.

Ndërsa, ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi, vlerësoi rolin e shtetit amerikan në mbështetjen si partner të Kosovës në fushën e arsimit.

Programi i USAID-it Lidershipi Transformues (TLP) – Bursat dhe Partneritetet, aktivitet ky pesëvjeçar ka për qëllim zhvillimin e një kuadri udhëheqësish që do t’u prinin ndryshimeve të rëndësishme në fushën ekonomike, politike dhe atë shoqërore në Kosovës, përmes bursave, zhvillimit të lidershipit dhe partneriteteve me universitetet në SHBA.

TLP u ka mundësuar 181 studentëve që të fitojnë diploma të nivelit master dhe 107 bursistëve të tjerë të përfundojnë programe të certifikimit profesional në SHBA.

Programi i USAID-it Lidershipi Transformues – Bursat dhe Partneritetet u realizua në partneritet me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ndërsa partner implementues ishte World Learning.