Në Shkup u mbajt një konferencë mbi ekstremizmin e dhunshëm, ku folën njohës të këtyre çështjeve nga vende të rajonit dhe ekspertë të organizatave të ndryshme.

Ata fajësojnë qeveritë e vendeve të Ballkanit perëndimor për mungesën e bashkëpunimit për luftimin e këtij lloji të ekstremizmit.

Expertë dhe analistë të çështjeve që kanë të bëjnë me ekstremizmin e dhunshëm diskutuan të mërkuren në Shkup mbi tendencat në ngritje të kësaj dukurie.

Sipas të dhënave që drejtori i Programit për ndërtimin e Paqes dhe të Drejtave në Institutin për Studime për të drejtat e njeriut pranë Universitetit të Kolumbias në SHBA, David Filips, janë 314 shtetas të Kosovës, të cilët kanë udhëtuar në Irak dhe Siri që nga 2012.

Ndërsa një zyrtar i lartë maqedonas i ka folur atij për 300 deri në 400 shtetas të Maqedonisë të kenë udhëtuar në këto shtete të Lindjes së mesme gjatë periudhës së njejtë kohore.

Filips thotë se Kosova dhe Maqedonia janë vendet më të prekura Evropiane nga radikalizmi.

Rajoni i Shkupit, sipas analistit, është ndër pesë vendet e botës prej nga më së shumti për krye banori i janë bashkuar grupit Shteti Islamik.

Ndërkaq, ai thotë se investuesit nga Lindja po eksploatojnë identitetin musliman në Maqedoni.

“Vendet e Gjirit Persik dhe në veçanti Turqia kanë investuar në veprimtari dhe parti politike për të përhapur islamizmin. Agjencia turke TIKA ofron libra me anë të të cilëve përhapë veprimtari radikale”, thotë ai.

Sipas z. Filips “Turqia dhe Katari kanë financuar parti politike në Maqedoni, siç është rasti me Lëvizjen Besa, e cila duhet të jetë transparente lidhur me të dhënat financiare, se prej nga vijnë ato”, thotë analisti.

Ai thekson se “Lëvizja Besa nuk është një parti autentike e Maqedonisë por një degë e partisë AKP të Turqisë e cila funksionon si një degë e e Vëllazërisë Muslimane”, sipas tij.

Profesori Blerim Reka thotë se OJQ vehabiste kanë luajtur rol për shtrirjen e radikalizmit në këtë pjesë të Ballkanit, por pa lënë mënjanë angazhimet nga Rusia dhe shërbimet sllave në këtë aspekt.

Ai thotë se shërbimet inteligjente duhet të bashkëpunojnë për të ulur shkallën e rrezikut të këtillë.

Gazetarja Arbana Xharra foli për përvojat e saj gjatë punës hulumtuese në këtë fushë.

Ajo vlerëson se është varfëria dhe përjashtimi social i të rinjve që i bën ata pré të rekrutimit për në betejat e Lindjes së Mesme.

Veton Latifi, drejtues i Institutit Max Van der Stoel në kuadër të Universitetit të Evropës Jugliundore tha se ekstremizmi i dhunshëm po bëhet një dukuri edhe në Maqedoni dhe se shoqëria po vetëdijësohet për nevojën e ndërmarrjes së hapave të domosdoshëm.

Por Maqedonia si edhe vendet tjera të rajonit, po e shikojnë çështjen në prizmin e reformave ligjore dhe nuk po ndërmarrin masa për ndërtimin e një modeli parandalues dhe të qëndrueshëm, theksoi ai.

Paneslitët thonë se zgjidhjet e problemit nuk janë të lehta ndërsa qeveritë e vendeve të Ballkanit perëndimorë janë të korruptuara dhe veprojnë mbi baza të interesave politike duke shfrytëzuar ose anashkaluar grupet radikale. /VOA/