Kombëtarja e Kosovës në futboll shkëlqen vonë. “Dardanët” arritën fitore të bukur sonte ndaj Andorrës, por erdhi vonë. Shumë vonë.

Kosova triumfoi në udhëtim 0:3 ndaj Andorrës, duke e shijuar vetëm fitoren e parë pas shtatë ndeshjeve në eliminatoret për Kampionatin Evropian 2024.

Nga një grup i kalueshëm u shndërrua në një grup të pamundur për Kosovën në pak ndeshje, ndërsa tani gjasat për kualifikim janë shuar pothuajse tërësisht.
Ishte minuta e 25-të kur Milot Rashica realizoi për ta kaluar Kosovën në epërsi.
Me epërsinë minimale, dy ekipet shkuan në pushimin mes pjesëve.

Ishte sërish Milot Rashica që shënoi një gol të lehtë për ta dyfishuar epërsinë e tanëve në minutën e 71-të.

E në të 83-tën, Altin Zeqiri realizoi golin e parë me fanellën dardane për ta vulosur një mbrëmje të bukur të ekipit kosovar.

Lajm i keq ishte lëndimi i sulmuesit Albion Rrahmani, i cili u largua me barelë nga fusha e lojës.

Kjo fitore e ngrit Kosovën në vendin e katërt në grup me shtatë pikë të grumbulluara, por shumë larg pozitës së dytë në tabelë.

Në anën tjetër, Andorra mbetet e fundit me vetëm dy pikë të grumbulluara.