Kosovë, mbërrijnë Princi Charles dhe Dukesha Camila

Trashëgimtari i Fronit të Mbretërisë së Bashkuar, Princi Charles, si dhe bashkëshortja e tij, Dukesha e Cornwallit, Camila, mbërritën të premten në mbrëmje në Prishtinë, në ndalesën e fundit të turit të tyre ballkanik.

Princi, që rikthehet në Kosovë pas 17 vitesh i shoqëruar nga bashkëshortja, janë pritur nga Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Conell, në Aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës.

Në pritjen e organizuar nga ambasadori britanik O’Conell ishin të ftuar udhëheqës institucionesh, ambasadorë të akredituar, shefi i zyrës së BE-së në Prishtinë, Samuel Zhbogar, krerë të partive politike, përfaqësues të mediave dhe personalitete të tjera të Kosovës.

Princi dhe Dukesha takuan secilin prej tyre, por përfaqësuesit e pozitës dhe opozitës i takuan në tavolina të veçanta, edhe pse me protokoll ishin caktuar të qëndronin në të njëjtën tryezë.

Menjëherë pas takimit me Princin, kryeminitri Isa Mustafa, kryeparlamentari Kadri Veseli dhe, më pas edhe Presidenti i sapozgjedhur Hashim Thaçi, janë larguar të tre nga salla.

Kjo vizitë pas 17 vitesh e Princit Charles në Kosovë vazhdon të shtunën, kur Princi dhe Dukesha do të vendosin kurora me lule për të pagjeturit e luftës pranë ndërtesës së Kuvendit. Dukesha Camila, e shoqëruar nga Presidentja Atifete Jahjaga, do të takohen me të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit.

Ndërsa Princi do të vazhdojë me një ceremoni në bazën e KFOR-it, ku dhe do të nderojë ata që humbën jetën gjatë shërbimit në Kosovë. Teksa Dukesha do të qëndrojnë në Fushë Kosovë në një takim me temë integrimin e grupeve të margjinalizuara në shoqëri, Princi përmbyll axhendën duke marrë pjesë në një konferencë ndërfetare në Prizren, organizuar në bashkëpunim me qeverinë.TCH