Në vitin që shënon 25-vjetorin e Partisë socialiste, Edi Rama bëri gjithçka për të treguar se ai nuk është kalimtar në drejtimin e forcës më të madhe politike në vend. Hapi i parë ishte pajtimi publik me Fatos Nanon.

“Nuk mundem të mos i bëj sot një falenderim në distancë nga ky Kongres, liderit të parë të kësaj partie, Fatos Nano. Çfarë na ka ndarë me të, nuk e ndan dot më dysh historinë e kësaj partia dhe as nuk i bën më pak të rëndësishme për këtë histori të përbashkët dritë-hijet e lidershipit të Fatosit”, tha Rama.

Hapi i dytë ishte shfaqja si bashkuesi i së majtës dhe bashkëqeverisja me Ilir Metën.

“Dy pjesë e kësaj familjeje të ribashkuar nuk janë ende plotësisht të çliruara nga pesha e së kaluarës, por kam bindjen se pakrahasimisht më e madhe sesa barra e gabimeve të të shkuarës, është vlera e ribashkimit tonë që e ktheu Shqipërinë në drejtimin e duhur”, nënvizoi ai.

Hapi i tretë dhe të cilit i kushtoi kohën më të madhe të fjalimit, ishin reformat e vështira për atë që Edi Rama e quan “shtet-ndërtim” dhe që është i bindur se ka mbështetjen e shumicës dërrmuese të shqiptarëve.
“Shqiptarët janë të gatshëm për të përballuar çdo reformë. Ata kuptojnë më shumë dhe më shpejt sesa elita e konsumuar në tunelet këtu në Tiranë. Kam bindjen më shumë se ditën e parë, se ne jo vetëm do të bëjmë reformat, por do të marrim edhe votat për të vazhduar të modernizojmë Shqipërinë përmes reformave”, u shpreh kryesocialisti.

Në fjalimin Edi Ramës zuri vend edhe Partia Demokratie, të cilën e sheh si përgjegjëse për keqqevrisjen 8-vjeçare dhe për mënyren sesi po bëjnë tani opozitën.

“Ata nuk bëhen dot opozita që i duhet dhe kaq shumë i mungon sot vendit. Shumica e shqiptarëve nuk kanë nevojë për ne që të mos harrojnë se ç’mallkim ishte për ta Saliu. Ua kujton Partia fatkeqe Demokratike, që s’le rast pa treguar se ka një qafë që kërkon një kokë, ndërkohë që koka është në shtëpinë e tij”, tha ai.

Çfarë ra në sy në fjalimin e Edi Rames ishte falenderimi me emër i të gjithë socialistëve të brezit të parë, edhe të atyre që sot e kritikojnë, përveç njërit. Edi Rama nuk e përmendi me emër në fjalimin e tij Ben Blushin, por çeshtjet e ngritura prej tij po.

“Ka një pakicë shumë të vogël këtu, që nga ky Kongres pret të gjejë sesi do t’i bëhet hallit statutor të mandatit tim dhe sipas tyre, unë këtu sot jam i pamandatuar”, tha Rama, duke shtuar se kjo do të diskutohet më gjerë në pjesën e tretë të Kongresit.

Edi Rama thotë se është i vetëdijshëm që shumë gjëra nuk shkojnë mirë dhe shumë të tjera janë të vështira, por u duk i vendosur për të zbatuar moton e qeverisjes së tij.

“Nga ky Kongres do të dalim më të fortë dhe të karikuar, më të motivuar për të çuar reformat në drejtimin e duhur”, deklaroi ai.

Për të shenjuar lidershipin e tij në Partinë Socialiste dhe për t’u mbajtur mend në historinë e qeverisjes, Edi Rama shpalli axhendën e së majtës shqiptare.

“Ju propozoj që ta quajmë provizorisht ‘Shqipëria Axhenda 2025’. Të përcaktojmë jo fitoren e radhës në zgjedhjet e radhës por fatin e Shqipërisë së gjeneratës tjetër dhe anëtare me të drejta të plota në familjen europiane. Ka kaq shumë gjëra për të bërë, por mos harroni kurrë, nuk bëhen po s’i bëri Partia Socialiste e Shqipërisë”, theksoi Kryeministri Rama./TCH