Rikthehet gazi lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, edhe gjatë seancës së sotme opozita ka vazhduar me hedhjen e gazit lotsjellës, pas çka kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, u detyrua të shpallë 10 minuta pauzë.

Deputetët e opozitës bllokuan edhe foltoren e kuvendit duke pamundësuar rrjedhën e seancës. Njëri nga ta madje hodhi ujë mbi kryeministrin Isa Mustafa.

“Argumentet e opozitës nuk qëndrojnë, pasi që ai dhe qeveria që e drejton, nuk e kanë shkelur Kushtetutën e Kosovës me marrëveshjen me Serbinë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe as me marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi”, tha Isa Mustafa, Kryeministër i Kososvës.

Paraprakisht deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi, gjatë hyrjes në sallën e Kuvendit pati një përplasje me njërin prej pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Derisa Daut Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës shprehet se bëhet fjalë për një qeveri të mohuar nga populli.

“Opozita po e vazhdon protestën e saj edhe brenda seancës plenare dhe kushdo që ka pritur ndryshe e ka pasur gabim”, deklaroi Rexhep Selimi, deputet i Vetëvendosjes.

“Kësaj qeverie kundërshtimin tashmë ia ka dhënë edhe populli i Kosovës”, tha Daut Haradinaj, deputet i AAK-së.

Partitë opozitare vazhdojnë të kërkojnë dorëheqjen e Qeverisë së Isa Mustafës, ndërkohë që kontestojnë edhe zgjedhjen e presidentit të vendit, Hashim Thaçi.