Parlamenti Evropian konfirmoi rekomandimin e kushtëzuar për çeljen e negociatave me Maqedoninë. Respektivisht, sipas deputetëve evropianë vendi do të mund të fillojë bisedimet me BE-në vetëm nëse i jep fund krizës aktuale politike, organizon zgjedhje të lira dhe korrekte si dhe rikthen reformat në rrugën e duhur. Rezoluta e cila u miratua me 404 vota pro dhe 76 kundër, kërkon nga liderët politikë në vend që të plotësojnë në përpikëri Marrëveshjen politike dhe reformat urgjente prioritare.

“Ka ardhur koha që të ndërmerren hapa të reja drejt integrimit Euro-atlantik dhe për fillimin e bisedimeve aderuese për BE-në nëse zgjedhjet organizohen në përputhje me standardet demokratike”, deklaroi Ivo Vajgëll, reporter për Maqedoninë në PE.

Gjatë debatit të mbrëmshëm deputeti Riçard Houit ngriti shqetësimin rreth siç tha pengesave në funksionimin e Prokurorisë Speciale.

“Prokurorja Speciale për hetimin e veprimeve të mundshme kriminale të politikanëve, na tha se nuk ka pranuar bashkëpunim të plotë nga gjykata, prandaj përsërisim nevojën për mbështetje të plotë për punën e saj autonome. Një mesazh i fuqishëm për liderët që nuk i përmbushin obligimet e tyre, nuk kanë alternativë tjetër se sa të veprojnë ashtu për demokracinë dhe një të ardhme më të mirë për vendin tuaj”, tha Riçard Houit, deputet i PE-së.
Komisioneri Han theskoi se vullneti politik është kyç për përmbushjen e të gjitha obligimeve.

“Ne i monitorojmë këto çështje vazhdimisht dhe së shpejti do të raportojmë mbi to. Situata ndëretnike mbetet e brishtë në shtet. Më shumë masa aktive duhet të ndërmerren për adresimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe të ndërtohet besim më i madh mes komuniteteve. Marrëdhëniet ndër-fqinjësore mbeten prioritet si dhe zgjidhja e çështjes së emrit”, deklaroi Johanes Han, komisionieri evropian për zgjerim.

Rezoluta nënvizon skandalin e përgjimeve dhe aferat korruptive që dolën në pah. Deputetët evropian përmes rezolutës shprehin shqetësime për nivelin e korrupsionit në vend veçanërisht në administratën shtetërore dhe lokale, në furnizimet publik, në financimin e partive politike dhe i bënë thirrje qeverisë të luftojë korrupsionin në mënyrë joselektive./Alsat-M