Shpallja e pavarësisë, mbetet një akt i lartë në histori. Krijimi i shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës është një ngjarje e madhe. Edhe pse Kosova nuk është ajo për të cilën kanë ëndërruar, qytetarët duhet ta festojnë këtë datë gjithherë. E ata të cilët e kanë sjellë Kosovën në këtë gjendje, duhet të ndëshkohen me votën e popullit, pasi që shkelen besimin dhe ëndrrat e tyre.

Kështu tha Jakup Krasniqi në një intervistë për KosovaPress, ku ka folur për ngjarjen më të madhe për vendin, shpalljen e pavarësisë dhe tetë vite pas saj.

“Edhe pse kanë kaluar tetë vite, ajo ngjarje sigurisht që do të jetë parasysh dhe në mendje gjithnjë. Për faktin që pas tetë viteve pas çlirimit të Kosovës, po zyrtarizohej ajo që ishte arritur në luftën çlirimtare të Kosovës, krijimi dhe shpallja e shtetit të pavarur dhe sovran dhe demokratik të Kosovës. Në historinë e popullit tonë është një ngjarje vërtetë e rëndësishme. Ne si brez patëm fatin që të jemi ata që po e kurorëzonin një luftë gati shekullore, që e kishin bërë disa breza pareshtur, për tu çliruar nga Serbia. Sigurisht që për këtë brez dhe brezat që do të vijnë ajo ngjarje dhe ajo ditë, do të mbetet e shënuar dhe ka vlera të mëdha historike, për faktin që në themelin e saj ka qindra e mijëra jeta njerëzish”, tha ai.

Edhe pse në vitet e para pas pavarësisë, ka pasur lëvizje të mirë, Krasniqi thotë se në legjislaturën e dytë pas pavarësisë, Kosova ka marrë teposhtën.

“Në legjislaturën e dytë pas pavarësisë së Kosovës, mendoj që zhvillimet politike në Kosovë, rreth Kosovës dhe për Kosovën kanë marrë një teposhtën. Dhe kjo teposhte iu dha me fillimin e bisedimeve politike në Bruksel. Edhe pse Kosovën askush s’ka mund ta obligoj për të zhvilluar bisedime politike me Serbinë, pasi që bisedimet politike me Serbinë, qenë kryer në bisedimet e Vjenës në vitin 2006 2007. Kështu që edhe rezoluta e asamblesë së përgjithshme, të kombeve të bashkuara e kishte obliguar Kosovën, që të fillonte bisedime teknike me Serbinë dhe jo bisedime politike. Ne nuk e kemi të qartë, as sot as kësaj dite pse iu deshtë dhe kush insistoi, kush nga pala shqiptare e pranoi këtë, këto bisedime, dihet është ish kryeministri Thaçi dhe vazhduesi i tij Isa Mustafa, mbajnë përgjegjësinë kryesore jo vetëm për këto zhvillime politike, por dhe për nivelin tepër të ultë dhe të dëmshëm të këtyre bisedimeve në raport me Kosovën, me shtetin e Kosovës dhe qytetarët e saj”, tha Krasniqi.

Edhe pse gjendja nuk është ashtu siç kanë ëndërruar qytetarët, Krasniqi thotë se ata duhet të festojnë ditën e shpalljes së pavarësisë. Ndërsa thekson se qytetarët duhet t’i ndëshkojnë ata të cilët ua kanë vrarë ëndrrat e tyre, për një shtet të zhvilluar,e të cilët kanë bërë që qytetarët ta shohin si shpëtim ikjen nga vendi.

“Qytetarët 17 shkurtin e vitit 2008 duhet ta festojnë gjithherë. Sepse është një ngjarje e shënuar në historinë e vendit dhe popullit tonë. Por a duhet të jenë të kënaqur me këtë pozicion që ka Kosova sot, me këtë zhvillim ekonomik, me sistemin e drejtësisë, me arsimin, me shëndetësinë. Natyrisht se janë tepër larg dhe qytetarët e Kosovës vërtetë duhet me votën e tyre, t’i dënojnë ose ndëshkojnë të gjithë ata që i kanë shkelur besimin e tyre, i kanë shkelur ëndrrat e tyre dhe kanë bërë që 16 vjet pas lirisë dhe 7, 8 vjet pas pavarësisë, qytetarët perspektiven ta shohin jashtë atdheut. Këtë jam i bindur, nuk e kam prit as unë, por nuk e ka pritur asnjë qytetar i Republikës së Kosovës”, theksoi Krasniqi.