Eurokomisioneri Johanes Han dhe tre eurodeputetën, nëpërmjet ambasadorit të BE-së Aivo Orav, kanë dërguar një mesazh për katër partitë politike nëpërmjet të cilit, siç mësohet, kanë kërkuar zbutjen e qëndrimit të partive për negociata të reja mes tyre.

Këtë e konfirmoi edhe zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani i cili tha se partia e tij pret që javën e ardhshme të kristalizohen qëndrimet e të gjitha partive dhe të gjendet një qëndrim i përbashkët për tejkalimin e krizës.

“Kjo letër është në kuadër të komunitetit ndërkombëtar që partitë të tejkalojnë vetveten dhe të pranojnë kompromisin për një dalje të përbashkët nga kriza. Ne ende mbetemi në qëndrimin që dalja nga kriza kërkon zgjidhje konsensuale në pajtim të të gjitha partive politike. Për shkak të festave është shtyrë ky vendim për javën e ardhshme mirëpo sidoqoftë java e ardhshme është e fundit që partitë të dalin me qëndrim rreth daljes nga kjo krizë”, deklaroi Bujar Osmani, BDI.

Edhe kreu i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski dje në prononcimin e tij la të kuptohet mundësinë e një tentative të re mes partive për zgjidhjen e krizës.

“Kriza politike do të zgjidhet kurse ne të gjithë do të dalim shumë më të fortë se gjithë kjo por edhe më të mençur. Nuk ka fuqi më të madhe se populli kurse gjithsecili që shkon kundër popullit është i destinuar të bie. Maqedonia do të kthehet në hapat e zhvillimit ekonomik, në rrugën drejt e Bashkimit Evropian dhe NATO-s”, tha Nikolla Gruevski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Të dy partitë në pushtet VMRO-DPMNE dhe BDI, ditë më parë këmbëngulnin se zgjedhjet e 5 qershorit janë mënyra e vetme e daljes së vendit nga kriza. Të kontaktuar nga Alsat M, LSDM dhe PDSH nuk kishin asnjë prononcim për negociata të mundshme dhe as për mesazhin e pranuar nga euro-deputetët.