Ukraina nuk do t’i nënshtrohet kurrë agresionit rus dhe nuk do të kthehet në një vasale e perandorisë ruse, deklaroi sot presidenti ukrainas, Petro Poroshenko  duke iu drejtuar zëvendëspresidentit amerikan, Joe Biden, i cili po viziton Ukrainën vetëm disa ditë para se të përfundojë mandati i tij.

Poroshenko theksoi se qeveria e tij ka ndërtuar një Ukrainë të re që ndan vlerat demokratike, të drejtat dhe liritë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas raporteve të agjencisë zyrtare ukrainase të lajmeve, Ukrinform.

Javën e kaluar, si një nga veprimet e tij të fundit të mëdha në detyrë, presidenti amerikan në largim, Barack Obama zgjeroi sanksionet kundër Rusisë gjatë konfliktit në Ukrainën Lindore, ku forcat rebele të mbështetur nga rusët kanë luftuar me ushtrinë e Ukrainës për gati tre vjet.