Kryesia e ngushtë e RDK-së dhe Kryetarët e Degëve kryesore të RDK-së kanë dërguar një letër të hapur me anë të së cilës pretendojnë të tregojnë sipas tyre “të vërtetën e zhvillimeve të fundit në partinë Rilindja Demokratike Kombëtare.

LETRA E PLOTË

Me qëllim sqarimin e individëve të painformuar, shmangien e gënjeshtrave, manipulimeve dhe tentativave të dështuara të një personi të vetëm, të kapur dhe që e ka humbur rezonimin e shëndoshë, për të krijuar idenë e përçarjes në RDK dhe shpalljes së tradhtisë kombëtare që nuk e kupton njeri, e shohim të nevojshme që të sqarojmë opinionin se:

– Për një kohë të gjatë veprimet e Kryetarit të deritanishëm të RDK-së nuk kanë shprehur qëndrimet dhe vendimet e Kryesisë Qendrore të RDK-së, si organi më i lartë i RDK-së mes dy mbledhjeve të Kuvendit Qendror. Për më keq, komunikatat e publikuara për media të lëshuara në emër të Kryesisë Qendrore janë manipuluar në vazhdimësi nga Kryetari i deritanishëm i partisë, duke anashkaluar çështje me rëndësi, për të cilat atij i është tërhequr vërejtja në mbledhjet e Kryesisë.

– Një mënyrë e tillë e veprimit ka ngritur dyshime për kursin e ndjekur nga Kryetari i deritanishëm i partisë dhe kjo është shtuar edhe më tej me deklaratat kontradiktore dhe të pamatura të tij lidhur me bashkimin opozitar dhe qëndrimin e të bërit opozitë në raport me partinë shqiptare në pushtet BDI, nisur nga fakti se në asnjë komunikatë të partisë dhe në asnjë nga debatet në të cilat ai ka marrë pjesë nuk ka as edhe një kritikë të vetme të tij ndaj BDI-së. Kjo mund të vërtetohet leht nga komunikatat e publikuara në media.

– Shqetësimet e ngritura në vazhdimësi janë bërë edhe më të mëdha pas vërtetimit të dyshimeve në DPA dhe në Fondin e Shëndetësisë se Kryetari i deritanishëm i partisë ka marrë rrogë të rregullt nga USHT-ja deri në 22 gusht të vitit 2014, ndërkohë që ai e ka lëshuar punën në këtë universitet në vitin 2010, gjë që dihet gjerësisht. Kur është ballafaquar me këto të dhëna Kryetari i deritanishëm i partisë nuk i ka mohuar por është munduar të arsyetohet me një spjegim joserioz se kjo i është ofruar nga vet USHT-ja që të mos mbyllej ai vend mësimdhënie në universitet, në rast të tërheqjes së tij. Dihet mirëfilli se dhënia me vite e rrogës një personi që nuk shkon në punë përbën keqpërdorim financiar dhe ajo nuk mund të bëhet pa mbylljen e syve të pushtetit, aq më shumë jo për një funksionar të opozitës, në një institucion që është çerdhe e partisë në pushtet. Ekzistojnë dyshime shtesë për kapjen e Kryetarit të deritanishëm të partisë nga partia shqiptare në pushtet, por ato nuk mund të bëhen publike pa u konfirmuar.

– Nisur nga vullneti i shprehur muajve të fundit, përfaqësues të RDK-së në bashkërendim me përfaqësues të LR PDSH, si parti aleate në Aleancën për shqiptarët, kanë vënë kontakte me subjekte tjera politike me qëllim zgjerimin e koalicionimit parazgjedhor, por kjo në mënyrë të vendosur, me kokëfortësi dhe pa asnjë argument të qëndrueshëm është kundërshtuar dhe penguar nga Kryetari i deritanishëm i partisë duke u thirrur edhe në teori konspirative e teza të çuditshme për të cilat, përkundër insistimit, ai nuk ka ofruar asnjë fakt apo argument edhe pse ka pretenduar vazhdimisht se ka dokumente shumë serioze për këto çështje.

– Kryetari i deritanishëm i partisë ka mashtruar Kryesinë qendrore duke pretenduar se ambasada e një vendi me rëndësi ka kundërshtuar bashkëpunimin e RDK-së me subjekte të caktuara politike, gjë që është mohuar nga zyrtarë të kësaj ambasade në takim me përfaqësues të Kryesisë së partisë.

– Duke u bazuar në këto të vërteta dhe duke dashur të ruhet uniteti, imazhi pozitiv i RDK-së që çmohet gjerësisht mes shqiptarëve dhe duke dashur të mos bëhen publike gjëra që mund të prekin çështje të ndjeshme personale, për rreth dy muaj, përfaqësues të Kryesisë së RDK-së kanë zhvilluar takime me Kryetarin e RDK-së për t’i diskutuar shqetësimet e mësipërme dhe për të gjetur një zgjidhje për tejkalimin e situatës, duke mos pasur aspak si qëllim ndryshimin e kryetarit të partisë në këtë situatë delikate.

– Në të njejtën kohë, letra e brendshme e dorëheqjes së ish Kryetarit të RDK-së nga organet qendrore të partisë u dërgohet mediave, nga një adresë me emrin e një anëtari të kryesisë qendrore, por që nuk është emaili i tij, më shumë se një muaj pas dërgimit të letrës ish-kryetarit në email por të nesërmen e një takimi të ngushtë ku Kryetarit të deritanishëm të partisë ju tha hapur se Kryesia qendrore ka unitet sepse një letër e tillë edhe më shumë se një muaj nga dërgimi nuk u është dhënë mediave për publikim nga askush. Dërgimi i letrës të nesërmen në mëngjes të këtij takimi të bërë mbrëmjen paraprake, nga një email i rrejshëm, më shumë se një muaj nga shkrimi i letrës, kishte për qëllim të devijojë vëmendjen nga problemet e ngritura dhe të pamundësojë kthimin e ish-kryetarit duke i treguar opinionit se dorëheqja e tij është e parevokueshme.

– Në mbledhjen e fundit të Kryesisë Qendrore të para rreth një muaji, kërkesa për të autorizuar person/a për të zhvilluar biseda me subjektet tjera, në koordinim me subjektin tjetër partner LR PDSH në kuadër të Aleancës për shqiptarët, ka hasur në kundërshtimin e ashpër, imponues dhe të paargumentuar të Kryetarit të deritanishëm të partisë, i cili duke u ndjerë i vetmuar nga mospasja e mbështetjes së anëtarëve të tjerë të Kryesisë Qendrore, në kundërshtim me të gjitha rregullat dhe parimet demokratike dhe në kundërshtim me statutin e RDK-së, në mënyrë despotike nuk lejoi të votohet në Kryesinë qendrore dhe u largua nga mbledhja i vetëm.

– Për më tepër, në pretendimet e tij, Kryetari i deritanishëm i partisë kërcënoi se do ta përdorte Këshillin e ekspertëve, qe sipas tij është mbi Kryesinë qendrore, për të imponuar qëndrimet e tij ndaj të tjerëve, ndërkohë që një këshill i tillë, jo vetëm që nuk është formuar dhe nuk ka funksionuar ndonjëherë, por edhe në bazë të statutit të themelimit të partisë ai ka vetëm funksion konsultativ.

– Kjo gjendje, e bllokimit të Kryesisë qendrore të partisë në mënyrë despotike dhe me diktat nga një person i vetëm, shoqëruar me dyshime serioze për kapjen e tij nga partia në pushtet, krijoi një situatë të re, e cila bëri që Kryesia qendrore e partisë, unanimisht të konkludojë se duhet të thirret Kuvendi qendror i partisë për zhbllokimin e gjendjes.

– Megjithatë, edhe në periudhën që pasoi, për hir të unitetit nuk u ndërmor asnjë veprim i njëanshëm, u mbështetën aktivitetet e planifikuara, nuk u keqpërdor periudha kur Kryetari i deritanishëm i partisë nuk ishte prezent në vend dhe problemet u tentua të zgjidhen larg grindjeve, duke punuar për të gjetur një zgjidhje të përbashkët dhe pa zhurmë. Fatkeqësisht të gjitha përpjekjet pasuese dështuan për shkak të despotizmit, destruktivitetit, manipulimit dhe ndryshimit të vazhdueshëm të fjalëve nga Kryetari i deritanishëm i partisë.

– Përfundimisht, me datë 02.03.2016 është arritur një marrëveshje për formimin e një komisioni që do të tejkalojë problemet e krijuara, por të nesërmen e arritjes së marrëveshjes, Kryetari i deritanishëm i RDK-së është shprehur se nuk është i gatshëm për të formuar asnjë komision dhe ka kërkuar vazhdimin e iniciativës për thirrjen e Kuvendit qendror për të vendosur rreth shkarkimit të tij. Nisur nga kjo, brenda pak orëve janë mbledhur më shumë se 2/3 e nënshkrimeve të kuvendarëve, të cilat i janë depozituar sekretarit të partisë. Ai pastaj ka dërguar ftesat për të gjithë kuvendarët, duke përfshirë edhe Kryetarin e deritanishëm të partisë, për thirrjen e Kuvendit qendror, duke respektuar afatin statutor prej një javë nga thirrja deri në mbajtjen e kuvendit dhe duke ua dërguar kuvendarëve rendin e ditës dhe dokumentin me nënshkrimet e kuvendarëve, një kopje e së cilës është dërguar edhe në Selinë e RDK-së.

– Duke respektuar partnerin e koalicionit në Aleancën për shqiptarët, Kryesia e ngushtë e RDK-së e ka informuar Kryetarin e LR PDSH-së dhe funksionarë të tjerë të kësaj partie disa javë më parë për ndryshimet që pritet të ndodhin në kreun e RDK-së, si një çështje e brendshme partiake që nuk ka të bëjë asgjë me raportet brenda Aleancës për shqiptarët, e cila duhet të vazhdojë të funksionojë normalisht. Bashkë me drejtuesit e LR PDSH-së është rënë dakord se duhet t’i jepet edhe një mundësi shtesë zgjerimit të frontit opozitar me subjekte tjera, por pa bajraktarizma absurde.

– Nga ajo që u tha më lartë, është plotësisht e qartë se është i domosdoshëm një Kryetar i ri kredibil dhe autoritativ për ta udhëhequr RDK-në dhe se Kryetari i deritanishëm i partisë e ka vulosur vet shkarkimin e tij. Ai tashmë nuk gëzon kurrfarë mbështetje në Kryesinë qendrore, Kuvendin qendror dhe në të gjitha Degët e RDK-së, për shkak të mosrespektimit të qëndrimeve të organeve qendrore të partisë, shkeljes së vendimeve të Kryesisë qendrore, bllokimit të organeve të partisë, shkeljes së rregullave dhe parimeve themelore të demokracisë – të drejtës së votës dhe respektimit të shumicës, imponimit të diktatit dhe despotizmit personal, manipulimit të informacioneve, mashtrimit të organeve qendrore, akuzave absurde për tradhti kombëtare të anëtareve të Kryesisë qendrore dhe kundërshtimit të bisedimeve për shtrirjen e bashkëpunimit opozitar, duke bërë lojën e BDI-së, sipas të gjitha gjasave për shkak të kapjes së tij personale.

-Dalja e tij jashtë kontrollit, përkundër dakordimit për tu shkarkuar nga Kuvendi qendror, dhe fillimi i një lufte kundër të gjithëve, duke humbur tashmë rezonimin e shëndoshë, duke personalizuar problemin përmes sulmeve të pafaktuara ndaj të tjerëve, ofendimi i të gjithëve, hedhja e tezave manipulative për prishjen Aleancës dhe marrëzira të tjera të tij, janë tregues i gjendjes së tij të vështirë personale dhe mungesës totale të argumenteve për pretendimet e tij.

– Duke besuar thellësisht në parimet demokratike dhe vlerat e pakontestueshme për të cilat njihet RDK-ja dhe duke synuar forcimin e qëndrimeve opozitare ne i bëjmë thirrje elektoratit opozitar dhe opinionit publik që të mos bie pre e një personi të mbetur vetëm, të kapur dhe të dalë jashtë kontrollit, që e ka humbur ekuilibrin e tij dhe që përmes zhurmës, konflikteve dhe ofendimeve përmes një shou tragjiko-komik mundohet të mbulojë pozitën e tij të mjerë. Kalimi i këtij momenti do ta bëjë edhe më të fortë RDK-në, cila ndryshe sa tentohet të manipulohet aktualisht është plotësisht unike, duke pasur në organet kryesore të saj njerëz të përgjegjshëm.

– Duke i lënë mundësinë për të ruajtur gramin e fundit të dinjitetit të tij të rrëzuar për tokë, që po i kalon si ora e rërës, në ftojmë Kryetarin e deritanishëm të partisë që t’i jap fund shout personal tragjiko-komik dhe të respektojë vendimin e Kuvendit qendror që është thirrur të mbahet të dielën, si organi që e ka zgjedhur atë në krye të partisë por edhe si organi që ka të drejtë ta shkarkojë.

– Duke pasur si qëllim të vetëm sqarimin e opinionit me këtë letër, ne e bëjmë të qartë se nuk do të merremi më me çfarëdo deklarate, manipulimi apo skenari të këtij shou tragjikomik të një personi të vetëm.

Kryesia e ngushtë e RDK-së dhe Kryetarët e Degëve kryesore të RDK-së:

Fadil Zendeli, Nënkryetar i RDK-së – Gostivar,

Hamdi Saiti, Nënkryetar i RDK-së – Tetovë,

Binas Pajaziti, Nënkryetar i RDK-së dhe Kryetar i Degës së RDK-së – Tetovë,

Zenun Ismaili, Sekretar i përgjithshëm i RDK-së – Kumanovë,

Artan Dika, Anëtar i Kryesisë Qendrore dhe ish-nënkryetar i RDK-së – Strugë,

Arben Ademi, Kryetar i Degës së RDK-së – Gostivar,

Adnan Sejfullai, Kryetar i Degës së RDK-së – Çair / Shkup,

Nusret Ziba, Kryetar i Degës së RDK-së – Strugë.