Takimi i zhvilluar në ambientet e Komunës së Strugës konsistoi në gjendjen aktuale në nivel lokal dhe në rang vendi. Kryetari i Komunës së Strugsë dhe njëkohësisht Kryetari i LR-PDSH , Ziadin Sela e informoi z. Henshaw me problemet e shumta me për cilat përballet në të gjitha nivelet.

‘’ Komuna e Strugës sot po përballet me vështirësi të mëdha, që nga implikimi i mafias me strukturat shtetërore e deri tek bllokimi i zhvillimit të këtij rajoni. Pushteti qendror po e ngulfat zhvillimin. Rasti më tipik ndodhi vetëm pak kohë më parë, kur në fillimin e punimeve për Zonën e Lirë Ekonomike , që kjo qeveri e quan Zona e Lirë Ekonomike Ohër-Strugë, unë nuk isha i ftuar. Megjithëse ky ndërtim bëhet në territorin Komunës së Strugës, zona quhet Ohër-Strugë, ftohet Kryetari i Komunës së Ohrit bile dhe ai i Debarcës.

Kam të drejtën të mendoj se edhe të punësuarit do të jenë nga këto rajone edhe pse fabrikat do të ndërtohen në Strugë. Me të tilla padrejtësi jemi duke u përballur përditë’’- u shpreh ndër të tjera Kryetari I LR-PDSH , Ziadin Sela Ndërsa sa i përket gjendjes aktuale në vend në përgjithësi dhe zgjedhjeve në veçanti Kryetari Sela theksoi se kushtet janë shumë më tepër të rëndësishme se sa vetë data e mbajtjes së zgjedhjeve.

‘’ Vonesat kanë pak rëndësi në raport me krijimin e kushteve të mjaftueshme për zhvillimin e zgjedhjeve brenda standardeve’’ Nga ana tjetër, z. Chris Henshaw, shprehu kënaqësinë e tij , që u takua me kryetarin në këtë lloj formati dhe jo në ndonjë mënyrë formale. ‘’ Erdha këtu që të ndaj me ju mendimet dhe shqetësimet e institutit tonë për situatën në të cilën ndodhet i gjihë vendi. Nga hulumtimet që kemi bërë del se njerëzit nuk janë të shqetësuar vetëm për tema identitare , por per ato ekonomike më së shumti’’. Pas shkëmbimit të mendimeve rreth situatës në të cilën ndodhet vendi, z. Henshaw u nda me premtimin për komunikimin në vazhdim sa i përket hulumtimeve të fundit të këtij instituti mbi gjendjen politike.