Më shumë se 30 mijë votues të dyshimtë nuk vërtetuan të drejtën e tyre të votës në afatin e caktuar me ligj. Mundësia e fundit për t’u paraqitur ka qenë deri mbrëmë në mesnatë dhe atë e kanë shfrytëzuar vetëm 8922 qytetarë. Shumica e tyre janë nga vendbanimet me shumicë shqiptare, si Çair, Tetovë, Shkup dhe Kërçovë, prej nga janë edhe numri më i madh i votuesve të shpallur sit ë dyshimtë. KSHZ-ja aktualisht po bën shqyrtimin e paraqitjeve të ditës së djeshme kurse një raport më të detajuar do të prezantojë gjatë javës së ardhshme.

“Me përfundimin e afatit më 19 gusht, në ora 24, deri në KSHZ kanë arritur gjithsej 8922 paraqitje nga qytetarët. Prej tyre 5302 në mënyrë elektronike përmes ueb aplikacionit të KSHZ kurse 3619 qytetarët I kanë dorëzuar personalisht në zyrat tona. Numër më të madh të paraqitjeve kemi në njësitë në Çair, Saraj, Tetovë, Gostivar, Kërçovë dhe Aerodrom”, tha Lupka Guguçevska, zëdhënëse e KSHZ-së.

Nga ky institucion sqarojnë se mundësia tjetër për paraqitje në KSHZ është vetëm gjatë inspektimit publik të listës së zgjedhësve, dhjetë ditë pas nënshkrimit të zgjedhjeve. Sipas ligjit, kjo periudhë zgjat 15 ditë dhe vlen për të gjithë qytetarët që kërkojnë ndryshim të të dhënave të tyre në listën zgjedhore.

“KSHZ-ja e ka për obligim që më së voni deri më dhjetë ditë pas nënshkrimit të zgjedhje, ta vendosë listën në inspektim publik dhe qytetarët kanë afat prej 15 ditësh të shqyrtojnë listën dhe nëse nuk janë të shkruar aty ose duan të ndryshojnë ndonjë të dhënë të bëjnë kërkesë deri te zyrat tona”, u shpreh Lupka Guguçevska, zëdhënëse e KSHZ-së.

Para përfundimit të muajit, KSHZ-ja duhet të prezantojë një listë zgjedhore pa këto 30 mijë votues kurse në 31 gusht, partitë politike duhet të vendosin nëse janë plotësuar kushtet për zgjedhjeve të parakohshme./Alsat-M