As koordinimi i sotëm mes grupeve parlamentare nuk solli asnjë zgjidhje konkrete për kthimin e VMRO-DPMNE-së opozitare në Kuvend.
Edhe pse deputetët e opozitës maqedonase dhe koordinatori i grupit frekuentojnë takimet e grupeve të punës për reformat, ata vazhdojnë të mos paraqiten në seanca. Jozyrtarisht flitet se për nesër mund të caktohet seanca për leximin e tretë dhe shqyrtimin e mbi 35 mijë amendamenteve për ligjin për përdorimin e gjuhëve, megjithatë partitë nuk e konfirmojnë këtë. Një ditë më parë, dy liderët Zoran Zaev dhe Hristijan Mickovski, pas takimit në Qeveri, deklaruan se qëndrimet e tyre sa i takon ligjit për përdorimin e gjuhëve, mbeten diametralisht të kundërta.

“Këto amendamente janë dorëzuar për kushtetutshmërinë e ligjit. Kuvendi definitivisht nuk është kompetent të vlerësojë nëse ligji është ose jo kompetent. Nëse tregohet pak logjikë, duhet të krijohet mundësia që ligji, nëpërmjet debatit me opozitën, të kalojë. Ne mund ta lëshojmë të shkojë procesi me të gjithë amendamentet por atëherë të gjithë do ta dinë se VMRO-DPMNE-ja është fajtore për bllokimin e proceseve” – deklaroi kryeministri Zoran Zaev.

Ligji për gjuhët ishte i vetmi që ktheu VMRO-DPMNE-në në Kuvend që nga arrestimi i deputetëve të saj për ngjarjet e 27 prillit. Megjithatë që nga prolongimi i kësaj seance me qëllimin për të shmangur shqyrtimin e 35 mijë amendamenteve, partia e Mickovskit edhe më tej bojkoton Kuvendin dhe kërkon lirimin e deputetëve të saj nga akuzat dhe paraburgimet. Pas takimit të fundit me Zaevin, ai shprehu optimizëm.

“Për momentin, VMRO-DPMNE-ja mbetet në pozicionet fillestare se nga aspekti matematik dhe politik nuk mund të jemi të kompletuar dhe aktiv në kuadër të Kuvendit. Jam një parandjenjë se shumë shpejt se pengesat matematike dhe politike do të tejkalohen, VMRO-ja e kompletuar do të mund të kthehet në Kuvend dhe plotësisht të përkushtohet” – deklaroi kryetar i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickovski.

Në fund të kësaj ose të javës së ardhshme, dy partitë më të mëdha paralajmëruan arritjen e konsensusit për shumë nga ligjet reformuese, megjithatë mbetet e paqartë se si ata do të miratohen, nëse opozita mbetet jashtë ligjvënësit.