Opinion nga Prof. Vebi Bexheti

KUR AKADEMIKU FLET ME GJUHEN E URREJTJES !

Pas shumë debateve, analizave e opinioneve të ndryshme për formimin e Qeverisë së re, ku po diskutohet edhe për kërkesat e shqiptarëve, të paraqitura në një deklaratë të përbashkët, ku ndër të tjera theksohet ajo e përdorimit të gjuhës shqipe, si zyrtare dhe e barabartë në tërë në tërë territorin e Maqedonisë, para disa ditëve, për këtë kërkesë të shqiptarëve u deklarua edhe Akademiku Mitko Maxhunkov. Deklarata e tij, që në cdo aspekt ishte nën nivelin e një akademiku, madje që nuk mund të krahasohet as edhe me opinionistët filledtarë të debateve televizive, që këto ditë i kemi me bollëk.

Sipas Akademikut Maxhunkov, shqiptarët në Maqedoni nuk paskan të drejtë në kërkesën për barazi të plotë të gjuhës së tyre me maqedonishten sepse maqedonasit paskëshin vetëm një shtet ku e përdorin atë, përkundër gjuhës shqipe që si zyrtare përdoret në Shqipëri dhe Kosovë, pa i shkuar mendja fare te përdorimi zyrtar dhe plotësisht i barabartë i gjuhës serbe me shqipen, në tërë territorin e Kosovës .Ai ,si akademik që është, duhet ta dijë se në shumë vende të Evropës dhe të botës ka plot gjuhë zyrtare që janë poashtu zyrtare edhe në shtetet amë dhe asnjëherë nuk e rrezikojnë ndonjë gjuhë tjetër.

Kur një akademik del publikisht me këso teza antishkencore, madje në emër të një Akademie shkencash të një shteti me shumë gjuhë, kultura e fe, ku shumicën e banorëve përbëjnë kombi maqedonas dhe ai shqiptar, atëherë cka mund të pritet nga disa politikanë dhe militantë partiakë të cilët karrierën e vet dhe mirëqenien e shohin pëmes urrejtjes së tjetrit, e në këtë rast të shqiptarëve. Por edhe kjo nuk duhet të na habit, kur dihet se kjo Akademi është po ajo e Enciklopedisë famëkeqe, ku shqiptarët autoktonë në këto troje i paraqet si ardhacakë shumë të vonshëm dhe pa asnjëfarë qytetërimi.

Ajo që duhet të na brengos të gjithëve në këtë rast, është heshtja e katër akademikëve shqiptarë të cilët edhe në raste tjera, sic ishte edhe ai i mohimit të pëkatësisë etnike të Nënës Tereze, me rastin e shenjtërimit të saj, vitin që shkoi,me gjithë reagimin e disave me vonesë, jashta foltores së kësaj Akademie, këtë skandal e kaluan në heshtje. Nëse këta akademikë të nderuar mendojnë se këkesat e shqiptarëve, e në rastin konkret, kërkesa për përdorim të barabartë të gjuhës shqipe me maqedonishten, që ka edhe bazë kushtetuese, duhet të jetë vetëm cështje e politikanëve shqiptarë, gabojnë rëndë sepse argumentet shkencore të tyre, nëse do ishin me të vërtetë të këtilla , shumë lehtë do i përmbysnin tezat antishkencore e antishqiptare te tipit të kolegut të tyre Maxhunkov ,dhe shumë të tjerëve të ngjashëm me te.

Në këto momente jemi pranë një sprove historike nëse do i fitojmë apo jo të drejtat tona legjitime që historikisht na janë nëpëkëmbur. Asnjëherë më parë nuk kemi qenë më afër kësaj fitoreje, madje, për fat të keq të keq, as edhe atëherë kur sapo heshtën armët, prandaj, sot ,më tepër se kurrë më parë na duhet një pajtim kombëtar ku do vijnë në shprehje, pëvec politikanëve të mencur edhe intelektualët e të gjitha niveleve, madje edhe akademikët ,që aty ndodhen ,përvec tjerash,edhe pse janë shqiptarë.