“Perfekte përtej limiteve…. “ e ka prezantuar Luana të ftuarën e parë në programin e saj “Pa limit”, një format i risjelllë mbrëmjen e sotme në ekranin e Top Channel. E ftuara është Marina Vjollca, motra e saj, për të cilën Luana është ndier gjithmonë “xheloze”, sepse atë e duan më shumë, vajzat dhe djemtë: “Kam shumë emocione sa herë më duhet të përmend emrin e saj. Është e bukur, e zgjuar, e suksesshme. Të gjitha vajzat duan më shumë atë se sa mua, ndaj jam gjithmonë xheloze”, – tha Luana për të motrën.

Por “xhelozinë” Marina nuk ia la pa ia kthyer menjëherë. E ftuar për të treguar një histori nga fëmijëria, Marina nuk nguroi të bëjë pjesë të tyre edhe motrën e vogël, e cila, gjithmonë ka kërkuar të jetë protagoniste: “Gjithë jetën kështu ka qenë…” – tha ajo për Luanën dhe nxitoi të tregonte një histori nga fëmijëria e hershme.

Luana, bujare me të motrat për të dhënë e për të marrë veshje, nuk ishte njëlloj me shoqet e saj. Madje, njërën prej shoqeve të fëmijërisë, Lorenën, Luana e detyroi t’i hiqte dhe t’ia kthente rrobat e banjës kur ishin ende në det: “Dua t’i heqësh dhe të m’i kthesh tani…” – i kishte thënë ajo shoqes së fëmijërisë për bikinit që “i kishte marrë”.

Për këtë rast, Luana kërkoi falje publike, edhe pse “ashtu mendoja atëherë”, – tha ajo.

Më tej, Marina e vazhdoi lojën me një histori tjetër nga fëmijëria e plazhit, ku bashkë me familjen rrinin për tre muajt e verës në të njëjtin vend.