8 C
Tetovo
E premte, 1 Maj, 2026
BallinaLajmeRajoniKuriri serb akuza të rënda Kurtit, thirret edhe në zëra kosovarë

Kuriri serb akuza të rënda Kurtit, thirret edhe në zëra kosovarë

Gazeta serbe “Kurir”, e njohur për qëndrime të ashpra ndaj Kosovës, ka publikuar një shkrim ku pretendon se kryeministri Albin Kurti do ta bazojë fushatën e ardhshme zgjedhore në raportin me Serbinë dhe serbët në Kosovë.

Mediat serbe kanë nisur ta komentojnë me tone të ashpra situatën politike në Kosovë dhe mundësinë e zgjedhjeve të reja, duke e vendosur sërish kryeministrin Albin Kurti në qendër të sulmeve.

Gazeta serbe “Kurir”, në një shkrim të publikuar së fundmi, pretendon se Kurti do ta ndërtojë fushatën zgjedhore mbi raportin me Serbinë dhe serbët në Kosovë, duke e paraqitur atë si politikan që, sipas tyre, përdor temat nacionale për qëllime elektorale.

Në shkrimin e “Kurir”-it thuhet se zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë pritet të mbahen pas krizës së re institucionale, e cila u krijua pas dështimit për zgjedhjen e presidentit.

Mediumi serb citon edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ka paralajmëruar se situata e re politike në Kosovë mund të sjellë, siç shprehet ai, “nervozizëm të ri” dhe “histeri të re antiserbe”.

Sipas “Kurir”-it, partitë shqiptare në Kosovë janë të vetëdijshme për problemet në fusha të tjera, përfshirë ekonominë dhe raportet me partnerët perëndimorë, prandaj, sipas këtij mediumi, tema e Serbisë dhe serbëve mund të rikthehet në qendër të fushatës.

Në shkrim citohet edhe politologu Ognjen Gogiç, i cili vlerëson se një nga temat kryesore të zgjedhjeve të ardhshme do të jetë përgjegjësia për dështimin e zgjedhjes së presidentit. Ai thotë se në fushatë mund të hapen edhe tema si raportet e Kosovës me partnerët perëndimorë, sidomos me SHBA-në, institucionet serbe në Kosovë dhe proceset gjyqësore për krime lufte.

Gogiç pretendon se partitë shqiptare garojnë mes vete në nacionalizëm dhe patriotizëm, ndërsa në qendër të këtij diskursi, sipas tij, mbetet çështja e Serbisë dhe serbëve.

Në të njëjtin shkrim, docenti i Fakultetit të Shkencave Politike në Beograd, Stefan Surliç, deklaron se Kurti nuk mund ta ndërtojë fushatën mbi luftën kundër korrupsionit dhe krimit, prandaj, sipas tij, do të mbështetet te krijimi i “armiqve imagjinarë” në komunitetin serb.

Surliç thotë se Kurti edhe në fushatat e kaluara ka përdorur tema që lidhen me veriun e Kosovës, përfshirë targat, urën dhe shtrirjen e sovranitetit në atë pjesë.

Sipas tij, Kurti nuk ka tema të tjera të forta për t’u ofruar votuesve, si zhvillimi ekonomik apo përparimi në luftën kundër korrupsionit.

“Kurir” përmend gjithashtu edhe mundësinë që në fushatë të hapet çështja e integrimit të arsimit dhe shëndetësisë në sistemin e Kosovës, me theks të veçantë te universiteti dhe institucionet arsimore serbe.

Shkrimi i mediumit serb vjen në një moment të ndjeshëm politik për Kosovën, kur kriza institucionale dhe mundësia e zgjedhjeve të reja kanë hapur debat të gjerë jo vetëm brenda vendit, por edhe në Beograd.

Në këtë kontekst, sulmet e mediave serbe ndaj Kurtit pritet të shtohen, ndërsa narrativa e tyre synon ta paraqesë çdo veprim të institucioneve të Kosovës në raport me veriun dhe strukturat serbe si pjesë të një fushate kundër serbëve.

- Advertisment -spot_img
Artikuj të ngjashëm
- Advertisment -spot_img

TË FUNDIT

Recent Comments