Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se pas marrëveshjes AKR-PAN të arritur gjatë ditës së djeshme, pos koalicionit LAA është shpërbërë edhe koalicioni i përbërë nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës si dhe Nisma.

Sipas tij, pas kësaj ujdie, konstituimi i Kuvendit të Kosovës dhe formimi i qeverisë së re është lënë në dorë të Vuçiqit. “A KR doli nga koalicioni LAA.
Ky koalicion parazgjedhor edhe zyrtarisht u shpërbë dje. Apetitet nga njëra anë dhe pasiviteti nga krahu tjetër, e humbën edhe një shans shtesë pas atij të VLAN-it. Kot je pasiv që të mos bësh gabime, sepse pasiviteti është gabimi më i madh”.“Mirëpo, dje u shpërbë edhe koalicioni tjetër PAN. Marrëveshjen me kryetarin e AKR-së nuk e bëri kryetari i PAN, por të tre kryetarët e tre partive të PAN-it (prej 12 sosh gjithsej) që kanë deputetë në legjislaturën e gjashtë”.

“Koalicionet parazgjedhore të oportunizmit po shthuren. Po kthehemi te partitë, te përmasat e tyre, tek ato si masë.Pas marrëveshjes së mbrëmshme, konstituimi i Kuvendit të Kosovës dhe formimi i qeverisë së re është lënë në dorë të Vuçiqit”.

“Shteti nuk është karrikë. Shteti ka karrika. Por, ka edhe karrika pa shtet, karrika në kurriz të shtetit. Pushteti i varur nga Serbia, e var pavarësinë e shtetit.26 vjet më vonë, 22 tetori i vitit 2017 po bëhet referendum i ri”, ka shkruar ai në Facebook.