Autoritetet paralajmërojnë se stuhia mund të sjellë reshje të mëdha të shiut, që mund të shkaktojë përmbytje dhe rrëshqitje të dheut

Uragani Irma, që niset drejt Karaibeve dhe bregut jugor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) është rritur në kategorinë e katërt, për shkak të cilës autoritetet e Floridës dhe Porto Rikës shpallën gjendje të jashtëzakonshme, raporton Anadolu Agency (AA).

Autoritetet paralajmërojnë se stuhia mund të sjellë reshje të mëdha të shiut, që mund të shkaktojë përmbytje dhe rrëshqitje të dheut.

Qendra nacionale amerikane për uragane pret që Irma deri në fundjavë të arrijë në Floridën jugore, por përmendet se është shumë herët të parashikohet rrugëtimi i stuhisë ose pasojat e saj.

Guvernatori i Floridës, Rick Scott, shpalli gjendje të jashtëzakonshme në 67 qarqe, duke theksuar se bëhet fjalë për një stuhi të rrezikshme për jetën.

“Ne, në Florida, gjithmonë jemi të përgatitur për më të keqen dhe shpresojmë për më të mirën. Ndonëse rrugëtimi i saktë i stuhisë në këtë moment nuk dihet, nuk guxojmë të jemi të papërgatitur”, tha Scott.

Edhe guvernatori i Porto Rikës Ricardo Rossel shpalli të hënën gjendje të jashtëzakonshme dhe aktivizoi gardën nacionale në kuadër të përgatitjes për arritjen e uraganit.

“Irma” mund të jetë uragani i dytë i fuqishëm që do të godas SHBA-të, pasi javën e kaluar uragani Harvey goditi shtetin federal Teksas dhe shkatërroi Hjustonin, qyteti i katërt më i madh në SHBA, duke marrë jetën e dhjetëra personave.