Shumë të moshuar kanë pritur me orë të tëra në radhë vetëm që ta marrin numrin për t’u vaksinuar, e më pas edhe për ta marrë kurën kundër koronavirusit.

Interesimi i madh i personave mbi moshën 65 vjeçare dhe mungesa e organizimit për vaksinim shkaktoi hallakamë të madhe ku u desh edhe ndërhyrja e policisë.

Por, tollovia te salla “1 Tetori”, pamjet nga e cila trazuan Kosovën sot, kaloi e heshtur për tre krerët e shtetit.

Kryeministri Albin Kurti nuk e foli asnjë fjalë për ngjarjen që pa dyshim se ishte kryetema e ditës. Njëjtë veproi edhe presidentja Vjosa Osmani.

Asnjë koment nuk e bëri as kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Asnjëri nga këta nuk dërgoi ndonjë kumtesë për këtë ngjarje, derisa klankosova.tv kontrolloi edhe profilet e tyre zyrtare në Facebook – ku zakonisht i bëjnë pothuajse të gjitha njoftimet – por, as aty nuk hasi në ndonjë koment.

I heshtur qëndroi edhe Arben Vitia që e drejton ministrinë që e organizon krejt procesin e vaksinimit, njofton klankosova.tv.

Madje, një fotografi e tij ku shihet duke pirë kafe në një nga kafenetë e njohura të Prishtinës e për të cilën u tha se u bë pikërisht në kohën kur të moshuarit po shtyheshin për t’u vaksinuar u bë virale – e ndoshta edhe fotografia më e kritikuar e ditës.

Derisa një sqarim e kanë dhënë nga ministria që ai drejton e të cilët u arsyetuan se grumbullimet e krijuara sot janë si pasojë se kanë ardhur të vaksinohen qytetarë edhe nga komunat e tjera, dhe jo vetëm nga Prishtina – ashtu siç kishin njoftuar ditë më parë.

Pas krejt kësaj tollovie te Qendra e Vaksinimit në Prishtinë u vendosën rrethoja ndarëse për t’u mundësuar qytetarëve që të presin në rresht për t’u vaksinuar, njofton klankosova.tv

Reagime të ashpra pati nga liderët opozitarë të cilët fajësuan qeverinë për mosorganizim të procesit të vaksinimit.