Çështja e shënjimit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi ka ‘përplasur’ kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama me deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Kurti ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po i kërkon homologut të tij kosovar që të ndryshojë mendim për të përkrahur sipas tij, një marrëveshje të padrejtë.

“Ne dëgjuam se z. Rama po i kërkon z. Haradinaj, kryeministrit aktual të Kosovës, që të ndërrojë qëndrim për demarkacionin me Malin e Zi. Z. Rama pra po kërkon që, kundër asaj që dëshmohet në harta, në dokumente zyrtare, nga profesionistët ekspertë, në mbamendje institucionale, në kujtesë popullore dhe me peticionin masiv qytetar, të përkrahet një marrëveshje e padrejtë që ia heq Kosovës 8.200 ha. të territorit”, ka shkruar Kurti në Facebook. “Në mënyrën më meritore ne do të merremi me Marrëveshjen e Demarkacionit Kosovë-Mal i Zi. Nga kryeministri ynë Edi Rama presim që të merret me realizimin e marrëveshjeve Shqipëri-Kosovë. Dhe, po ashtu presim që ai të kontribuojë në lartësimin e social-demokracisë e të bashkimit të kombit. Nuk kemi kohë për të humbur e as tokë për të falur”. /Telegrafi/