Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur para mediave për marrëveshjen e Ohrit me Serbinë, ku Kosova mori obligime “të menjëhershme” për ngritjen e një niveli “adekuat të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë”.

Lidhur me këtë çështje, Kurti është shprehur se “vetëmenaxhimi” është një formulim që i qëndron besnik konventës kornizë për mbrojtjen e pakicave kombëtare sipas Këshillit të Evropës.

“Dhe do të duhej që atë formulimin për vetmenaxhimin e komunitetit serb ta adresojmë çështjet që na paskan ngelur pa u përmbushur dhe për neve siç kam thënë në Kuvendin e Kosovës, bëhet fjalë për një formulim i cili i përket në mënyrë shumë besnike dhe të saktë, konventës kornizë për mbrojtjen e pakicave kombëtare sipas Këshillit të Evropës.”, tha Kurti.

Kurti ka vazhduar të adresojë çështjen e mosnënshkrimit të marrëveshjes nga pala serbe, duke thënë se ai s’mund të bëjë marrëveshje me ‘vetveten’.

Shefi i Qeverisë është shprehur se “topi është në anën e Serbisë” dhe jo në anën e Kosovës, prandaj i pyetur nëse kjo marrëveshje duhet të ratifikohet në Kuvend, ai ka thënë se s’mund të bëjmë marrëveshje “me vetveten”

“Unë besoj që edhe në Kuvend kjo duhet të diskutohet, mirëpo duhet ta kenë parasysh se ne kot nënshkruajmë, se ne marrëveshje vetë-me-vete s’mund të bëjmë, marrëveshja duhet të nënshkruhet me palën tjetër dhe e keni parasysh së në krye të marrëveshjes bazë, atij tekstit të parë mbi të cilin më në fund u pajtua Serbia, është palët kontraktuese, pra duhen palët kontraktuese, unë nuk mund të bëjë marrëveshje me vetveten, ne mund të bëjmë ratifikime në Kuvendin e Kosovës, por nuk mendoj se topi është në anën e Kosovës, dhe kërkoj kontributin e të gjithëve, topi është në anën e Serbisë, pse s’po nënshkruan ajo? Para se të flasim për Asociacionin, të flasim për nënshkrimin e Serbisë. Andaj është e rëndësishme t’i qëndrojmë besnik interesave të Kosovës, shtetërore, popullit tonë, ne kemi qenë konstruktiv, të gjitha pyetjet duhet të jenë në Beograd tashmë.”, tha Kurti.