Profesori i nderuar Arbër Çeliku, bashkë me bashkëshorten e tij profesoreshën Gjyla Çeliku të  angazhuar prej  një kohe të gjatë në ndërgjegjësimin qytetarë me kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në “fyshkellimin” e fenomeneve devijuese në shoqëri, janë kërcënuar nga qarqe të caktuara. Këtë e bën të ditur vetë Prof Çeliku, nëpërmjet një shkrimi në profilin e tij në fejsbuk para pak çastesh.

Ja edhe teksti i plotë i Prof. Arbër Çelikut:

Ka kohë që, si rrjedhojë e angazhimit tim publik në të mirë të shoqërisë dhe të bashkëshortes time, Gjyla Çeliku, me një efekt zingjiror dhe të koordinuar mirë nga grupe të caktuara të interesit, të cilët, me gjasë, i kemi bërë të dridhen si purteka, po ushtrohet një trysni e paparë në të gjitha anët, që të na izolojnë në çdo aspekt:
– deri më sot, 4 gazetarë ma kanë kumtuar se kanë marrë urdhër të prerë nga lartë që ne të bllokohemi me çdo kusht në çdo paraqitje,
– ndikimi është shtrirë edhe në disa ambasada dhe organizata ndërkombëtare, duke na paraqitur si nacionalistë dhe ekstremistë,
– janë aktivizuar individë dhe organizata të caktuara për të na diskredituar profesionalisht dhe moralisht,
– na përgjohen telefonat celularë, sa 2-3 herë na është dashur ta ndërrojmë çipin telefonik, duke menduar se aparatet i kanë fajet,
– aty ku derdhëm pikën e fundit të djersës, sot na shohin si armiq,
– çdo mik, koleg dhe familjar tonin na i kthyen në kundërshtarë, etj.
Dhe çfarë paskemi bërë ne, që po villet aq shumë vrer ndaj nesh? Që urrehemi aq shumë nga këto struktura? Që po na shpallin në heshtje heretikë? Që na luftojnë me media dhe propagadë të stilit të Gestapos?
– kemi fshikulluar fenomene të devijuara shoqërore,
– kemi tentuar t’i ndihmojmë po ato struktura, që të mund të fillojnë reformimin e brendshëm në të mirë të proceseve shoqërore,
– kemi ndihmuar njerëz në nevojë,
– kemi organizuar aktivitete humanitare të çdo lloji,
– nuk e kemi dëmtuar askënd dhe nuk i kemi bërë kurrë keq askujt, etj.
Nëse ky është mëkati ynë, atëherë le të japin urdhër edhe për të na djegur në turrën e druve, se izolimi kolegjial, mediatik dhe shoqëror, kërcënimi të tërthorta me heqjen nga puna, shantazhimi me inskenime inekzistente, nuk u kryen aspak punë.
Sa për dijeni, neve as që na trembet syri nga strukturat e këtilla, që veten e kanë çuar buzë greminës dhe as mund të na ndalojnë e pengojnë në rrugën tonë kombëtare, humane dhe shoqërore.
Ne, sot, siç po lutemi për viktimat nga tërmeti dhe për mbarë popullin shqiptar, lutemi edhe për këtë kategori njerëzish, që shpirti i tyre të mbushet me paqë, mirësi dhe dashuri…
Zoti i mëshiroftë!

P. S. Falënderojmë gazetën LAJM me z. Isen Saliu, Portalin Ina-Online me z. Naser Pajaziti, portalin Fol.mk, Tetova1 dhe zingjirin e portaleve Albazone Group Media me z. Naser Mislimi, të cilat nuk u nënshtruan kurrë karshi Gestapos shqiptare!

/fol.mk