Para Qeverisë së Kosovës sot është mbajtur një protestë lidhur me ndalimin e dasmave dhe ahengjeve.

Ish-Ministri Vitia kishte marrë vendim për ndalimin e organizimit të dasmave dhe ahengjeve të ndryshme familjare dhe kjo nuk u ka pëlqyer aspak atyre të cilët janë prekur më së shumti nga ky vendim, pra këngëtarët e pronarët e restoranteve.

Kjo gjë do të ndikojë direkt tek artistët dhe shumë veprimtari të tjera që lidhen me dasmat dhe ngjarjet e ngjashme, andaj është organizuar protestë.

Labinot Tahiri, Afrim Muqiqi, Edi Furra, Edona Llalloshi, Alban Mehmeti etj, janë vetëm disa nga emrat të cilët shihen se janë mbledhur në shesh për të kërkuar të drejtat e tyre.

Labi madje ka reaguar i revoltuar duke thënë se koronavirusi është një gënjeshtër.

“Kjo është gënjeshtër, mua le të më dërgojnë në burg, edhe ty edhe të gjithë estradën, por kjo është gënjeshtër. Kjo bëhet vetëm për të diskriminuar, kinse të na ulin modestinë dhe krenarinë që na i ka dhënë Zoti”, u shpreh ai.

“Asgjë, asnjë Qeveri as Shteti nuk ka bërë asgjë për ne, asnjëherë, as për Nexhmije Pagarushën para se të vdiste. Këtu ku jemi ne do të duhej të ishte busti ose një shenjë për yllin tonë shqiptar, Nexhmije Pagarushën, por kur vdiq ia nisën lot krokodili”, u shpreh tutje Labinot Tahiri.