I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, tha se Brukseli pret një vendim largpamës nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq për çështjen e Kosovës. Ai tha se tashmë ka përfunduar propozimi i tekstit për personat e dëbuar dhe të zhdukur. Ka thënë se duhet të përmbyllet çështja e Asociacionit të Komunave Serbe.

“Ne presim që ai të marrë një vendim largpamës, kurse ai pyet: ‘Si mund t’ua shpjegoj qytetarëve se është mirë për ta?’. Ky proces negocimi ishte i lidhur me perspektivën evropiane të vendit që nga fillimi, dhe tani Vuçiq pyet: ‘ Sa do të fitojnë aperspektivë evropiane?’”, tha Lajçak për gazetën austriake Wiener Zeitung.

Lajçak, siç transmetojnë mediat serbe, ka thënë se gjëja më e vështirë ishte dialogu të rifillonte dhe përsëriti se qëllimi është një marrëveshje gjithëpërfshirëse obligative, transmeton Telegrafi.

“Aktualisht po diskutojmë për tema shumë komplekse, duke përfshirë pretendimet financiare dhe të drejtat e pronës”, tha Lajçak.

Sipas tij, tashmë ka përfunduar propozimi i tekstit për personat e dëbuar dhe të zhdukur, si dhe për bashkëpunimin ekonomik, por siç shtoi ai, “edhe këtu vlen parimi që asgjë nuk është rënë dakord derisa të arrihet dakordimi”

Ai ka thënë se çështja e Asociacionit të Komunave Serbe, e cila, siç kujtoi ai, tashmë ishte dakorduar në marrëveshjet e viteve 2013 dhe 2015, por ato nuk ishin zbatuar.

“Kjo është një temë shumë e ndjeshme që u adresua gjithashtu nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës – ky mendim duhet të merret parasysh. Por unë i pyes ata që thonë se tani nuk është koha për këtë: Kur, nëse jo tani? Epo, ju e nënshkruat vetë marrëveshjen”, tha Lajçak.