Edhe pse në Maqedoni ka portale që janë krijuar për të përhapur dezinformacione, më së shpeshti lajmet e rrejshme vijnë nga qendra politike. “Qendrat politike këtë e bëjnë që të dëmtojnë kundërshtarët politik. Kështu ata keqpërdorin disa portale që praktikisht janë krijuar për këto qëllime”, potencon kreu i SHGM-së, Mladen Çadikovski. Ndërkohë Komisioni Evropian në Raportin e saj të fundit konsideron se Maqedonia ka progres të kufizuar për sa i përket lirisë së shprehjes

Në raportin e fundit për Maqedoninë Komisioni Evropian (KE), vlerëson se Maqedonia ka bërë progres të kufizuar sa i përket lirisë së shprehjes. Por, bënë thirrje që të rriten përpjekjet për të luftuar dezinformatat. “Të rriten përpjekjet për të luftuar dezinformimin dhe për të krijuar qëndrueshmëri të mediave”, thuhet mes tjerash në Raport. Drejtuesi i programit “200”, gazetari Nazim Rashidi vlerëson se dezinformimet dhe rreziqet e përdorimit të teknologjisë për manipulime do jenë sfidë serioze për vendin, prandaj sipas tij, edhe vëmendja duhet të rritet për këtë fushë. “Nga një anë duhet të kemi medie, sidomos elektronike më profesionale dhe të përgjegjshme, ndërsa nga ana tjetër masa më të rrepta për shpifësit, manipuluesit, por edhe për keqpërdoruesit e informacionit. Kemi parë se kjo është bërë edhe për qëllime politike, ndikime të huaja por edhe denigrime personale. Problemi nuk është vetëm tek alarmimi, por edhe masat që duhet të marrë prokuroria në hetimet e rasteve të tilla. Njëkohësisht këto veprime duhet të tregojnë kujdes që mos të kalohet në anën tjetër, ku hetimet të ndikojnë në presione ndaj medies apo në censurimin ose auto censurimin të gazetarëve”, deklaroi për KOHA, Rashidi. Ai thotë se kjo është çështje delikate dhe prandaj kërkon një qasje më profesionale. “Në esencë asgjë që do ndërmerret nuk duhet të cenojë lirinë e medies por nga ana tjetër duhet të ketë zero tolerancë ndaj manipuluesve dhe dezinformuesve pa varësisht qëllimit”, nënvizon ai.

Në anën tjetër, Seladin Xhezairi nga TV Klan Maqedoni thotë se standardet e profesionit dhe cilësia e gazetarisë tek ne e ndër ne, kjo nënvizohet edhe në Raportin e Komisionit Evropian, lë shumë për të dëshiruar. “Nëse media, në parim, duhet të jetë ai ‘qeni rojë i demokracisë, mjerisht tek ne sa vijnë e po shtohet në një mashë të interesave të huaja për të dhe që s’kanë të bëjnë fare me misionin në mbrojtje të vlerave e të së vërtetës! Si të eliminohet kjo – është çështje që pikënisjen e ka tek vetërregullimi e deri tek ndërgjegjësimi i shtet-pushtetit, i partive, grupeve të interesit, që median ta lënë të lire. Të krijohen e vendosen edhe standarde të cilat do të mundësojnë mbijetesën financiare, me ndershmëri, e jo të shndërrohen në tellallë të ‘këtij’ apo ‘atij’. Ma thotë mendja se inkurajimi i profesionalizmit apo edhe i raportimit të paanshëm, domethënë të balancuar, i gazetarisë hulumtuese, që rekomandohet edhe nga Komisioni Evropian, imponon nevojën e analizimit, jo të rasteve, por të dukurisë: media po bëhet gjithnjë e më shumë instrument për arritjen e synimeve politike dhe jo vetëm politike, por edhe ekonomike”, deklaroi për KOHA, Xhezairi. Fundja, shprehet më tej ai, kjo u pa edhe gjatë fushatës së paradokohshme për zgjedhjet parlamentare, kjo del dhe nga gjetjet e Agjencisë për Shërbime Mediatike dhe Audiovizive dhe nga ato të OSBE-ODIHR-it. “Ne jemi larg, shumë larg të përkryerës, por kujtoj se teleshikuesve iu kemi për borxh të paktën edicionin e lajmeve t’ua plasojmë, pa hile, pa tendenca, e shtrembërime”, thekson ai.

Ndërkaq, kreu i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Mladen Çadikovski, është deklaruar pas publikimit të raportit, dhe ka theksuar se lufta kundër lajmeve të rreme është luftë që duhet të vazhdojë, gjë të cilën SHGM përpiqet ta bëjë përmes platformës ‘Promedia’. “Problemi ngelet sepse nëse i shohim se cilat janë mediat apo organizatat kryesore që i krijojnë narrativet dizinformuese, kjo mbetet më e theksuar në hapësirën online dhe këtu mendoj se duhet të orientohen përpjekjet që duhet t’i bëjmë si shoqëri”, ka theksuar Çadikovski. Sipas tij, në Maqedoni ka portale që janë krijuar për të përhapur dezinformacione, por shton se më se shpeshti lajmet e rrejshme vijnë nga qendra politike. “Qendrat politike këtë e bëjnë që të dëmtojnë kundërshtarët politik. Kështu ata keqpërdorin disa portale që praktikisht janë krijuar për këto qëllime”, potencon kreu i SHGM-së, Mladen Çadikovski.

Ndryshe, vetërregullimi i mediave është forma përmes së cilës duhet udhëhequr kjo betejë. Pasi që përpjekjet për të luftuar dezinformatat nga jashtë mund të sjellë ndikime dhe censurë në media. Rekomandim tjetër i rëndësishëm i Komisionit Evropian është edhe: “organet e zbatimit të ligjit dhe autoritetet gjyqësore të sigurojë ndjekjen e shpejtë dhe efektive të të gjitha rasteve të dhunës fizike dhe verbale ndaj gazetarëve”. (koha.mk)