Arben Taravari

Kjo letër i drejtohet në radhë të parë të gjithëve atyre që besojnë tek unë, atyre që po ashtu iu besoj, dhe pavarsisht që kjo mund të tingëlloj disi komuniste, i referohem të gjithë shokëve të partisë time.
Më pas këto rreshta kanë për qëllim punëtorin që ka dhe atë që s’ka punë, ka votuesin i cili i ka sytë nga ne, e duke qënë se ata sy janë njësoj si një rezonancë magnetike, e ndjejë të arsyeshme të them dy fjalë.
Natyrisht që ne nuk kemi lindur dje, unë kam hyrë në dekadën e pestë të jetës, por kjo nuk na pengon që të kemi të drejtën e një mentaliteti të ri politik, të mbarëdomosdoshëm, që është jetik për popullin tonë sidomos.
Qëkur kanë filluar përpjekjet e shqipëtarëve në Maqedoni për organizim, që atëherë për fat të keq, kemi treguar se Ego-ja jonë ka qënë shumë më e fortë se Qëllimi, e andaj as edhe me luftë nuk kemi mundur dot të kemi kushte normale. Mirëpo për të mos qarë mbi një flakë të vdekur, le t’i hedhim sytë nga zjarri i ri. Kryetari dhe miku im, Ziadin Sela, dhe shumë struktura të partisë, kërkojnë që unë të jem në listë në Gostivar, në zonën time.
Për mua do të ishte përveçse përgjegjësi e jashtēzakonshme por ama edhe nder që të mund të përfaqësoja apo mbroja bashkëqytetarët e mi në sallën e llafazanëve që na kanë marrë jetën deri tash. Mirëpo, ka një qëllim më të lartë se ky, është pikërisht ajo MRI-ja e qytetarit, që më jep kurajo të mendoj kështu: unë nuk dua të jem i pari në listë, madje as i dyti, unë dua të jem i njëzeti.
Dua dëshmoj se në partinë tonë altruizmi nuk është vetëm fjalë në letër por është dhe vepër në terren.
Dua të luftoj me çdo mundësi që kam për të mbështetur cilindo anëtar të partisë tonë, sepse unë dua që të fitoj platforma jonë politike, dhe sepse pikërisht ne e kemi seriozisht këtë punë, sepse unë e kam seriozisht këtë punë, dua të jap shembullin e asaj që në fakt duhet të jetë një rend i ri politik: të shikosh partinë si tërësi dhe si individ.
Unë gëzoj një reputacion të konsiderueshëm në Gostivarin tim, sigurisht edhe për shkak të profesionit që kam, por mendoj që duhet të favorizohen djem dhe vajza të tjerë të partisë, ata të cilët deri tash ndoshta nuk kanë mundësi të njihen si unë, në këtë kontekst, unë iu vihem krejtësisht në dispozicion për të luftuar që partia jonë mos jetë Çështje Individësh por Çështje Ekipi!
Unë jam i nderuar të jem pjesë e një partie të Ndershme dhe Vizionare, të një partie që më tregon përditë se çdokush është i barabartë, se secili duhet të ketë shanse të barabarta, që janë aq të rëndësishme për popullin tonë.
Shpresoj që veprimi im të kuptohet dhe të merret si dëshmi që gara brenda llojit është krejtësisht e paarsyeshme. Ju kujtoj që të dilni të votoni atë ditë, vota është Forca më e madhe që ndërton apo rrëzon pushtete. Mos harroni se LR-PDSH dhe ALEANCA PER SHQIPTARET është alternativa më e mirë për çdo shqiptar.
Na prift e mbara!
Sinqerisht
Arben Taravari