Sot, me rastin e Ditës së Mësuesit – 7 marsin, Lëvizja BESA organizoi një tryezë ku u diskutua për problemet e arsimit në Maqedoni. Ky diskutim u udhëhoq nga Prof.Dr. Lulzim Aliu, anëtar i Departamentit për Arsim në Lëvizjen BESA, ndërsa pjesëmarrës ishin: Prof. Dr. Xheladin Murati, Prof. Dr. Avzi Mustafa, Prof. Dr. Hasan Jashari, Prof. Dr. Lulzim Ademi, Prof. Dr. Emil Sulejmani, Prof. Dr Naim Mahmudi, Prof. Dr. Ali Pajaziti, Prof. Dr. Bujar Saiti dhe Doc. Dr. Zeqirija Ibrahimi.

“Edhe pse dua që në këtë ditë feste të arsimit shqip të flasë vetëm fjalë mirënjohjeje dhe miradije për gjeneratat që dhanë kontributin e tyre të pazëvendësueshëm për arsimimin shqip, gjendja në të cilën gjendet arsimi shqip këtu në Maqedoni nuk më lejon një gjë të tillë. Meqë shqiptarët edhe në këtë segment janë të diskriminuar e të trajtuar sikur të mos ishin qytetarë të barabartë të këtij shteti. Deri shumë vonë atyre ju mohohej e drejta e shkollimit në gjuhën amtare, ju mohohej e drejta e arsimimit të mesëm në gjuhën amtare e të mos flasim për arsimimin universitar. Sot kur kjo është arritur, tashmë ka filluar një fazë tjetër: ajo e përdhosjes dhe e denigrimit të arsimimit shqip. Ky denigrim bazën e ka që nga hartuesit dhe koncipuesit e programeve shkollore – Ministria e Arsimit, nga hartuesit e librave shkollor, nga organizimi dhe mbarëvajtja e procesit edukativ dhe arsimor”, tha Prof. Dr, Lulzim Aliu në hapje të këtij diskutimi. Sipas z. Aliu, politizimi dhe ideologjizimi i arsimit vërehet në çdo sferë, që nga programet shkollore, kuadri arsimor, kontrolli i njohurive nëpërmjet testit ekstern, etj, i cili thkesoi se këto janë elementet që e bëjnë sot të hamendet nëse duhet të krenohemi, meqë shënohet 129 vjetori i shkollës së parë shqipe dhe shënohet Dita e Mësuesit Shqiptarë, apo të brengosemi se në çfarë gjendjeje të mjerueshme është arsimi shqip në Maqedoni.

Më tutje, fjala iu dha pjesëmarrësve, të cilët në diskutimet e tyre shtruan një varg çështjesh, ndër të cilat po i theksojmë këto:

  • Arsimi shqip i të gjitha niveleve është në gjendje të mjerueshme: është i politizuar, gjë që sjell kuadër të dobët, dhe funksionon me objekte të vjetruara dhe pa kushte të mjaftueshme.
  • Në arsimin shqip mungon financimi i mjaftueshëm, duke filluar që nga ngrohja (p.sh.: në shkollat e Tetovës borxhet e shkollave janë disa miliona euro), e deri te problemet e pajisjes së shkollave;
  • Reformat në arsim nuk janë komplementare me shoqërinë shqiptare në Maqedoni, por as me shoqërinë e përgjithshme në shtet;
  • Në tekstet shkollore hasen gabime të shumta, që nuk përkojnë me historinë, kulturën dhe traditën shqiptare në Maqedoni;
  • Tekstet shkollore shqip vuajnë nga gjuhë e dobët shqipe, sepse shumica e tyre janë përkthime të dobëta;
  • Haset pabarazi midis nxënësve shqiptarë dhe atyre maqedonas në pikëpamje të investimeve që bëhen nëpër shkolla;
  • Arsimi i mesëm i detyrueshëm, në vend që të jetë profesional dhe t’i aftësojë nxënësit për një profesion në jetë, prodhon maturantë të përgjithshëm që detyrohen të shkojnë në fakultet, sepse nuk bëhen të aftë për asnjë punë;
  • Kemi shumë diploma, por pak cilësi;
  • Hapja e universitetit shqip në Shkup, megjithëse është veprim që duhet përshëndetur, lë shumë për të dyshuar se edhe ky do të jetë një institucion që synojnë ta përdorin për qëllime politike dhe partiake;
  • Reformat në arsimin e lartë (vetëm nga viti 2008 ligji për Arsimin e lartë është ndryshuar 16 herë) e kanë dëmtuar jashtëzakonisht shumë arsimin e lartë;
  • Kemi mungesë të institucioneve parashkollore nëpër vendbanime rurale, ndërsa ato janë strumbullari i arsimit cilësor;
  • Investimet në projekte shkencore albanologjike është gati se kurrfarë dhe kjo shkakton probleme në ndërtimin e projekteve shkencore shqiptare në Maqedoni;

Duke u nisur nga këto konstatime, pjesëmarrësit në tryezën e rrumbullakët konkluduan se këto janë defektet që duhet t’i kenë parasysh seriozisht ata që do ta marrin pushtetin në mandatin e ardhshëm, që të mund të riparohen ato dhe arsimi shqip të marrë udhë të mbarë, thuhet në kumtesën e Lëvizjes BESA.